NBA, Denver Nuggets tregojnë forcën; Jokic mposht Miami Heat në ndeshjen e parë

Sport

Denver Nuggets kanë triumfuar 104-93 ndaj Miami Heat, në takimin e parë mes tyre në finalet e mëdha të NBA. Përpara tifozerisë së tyre në ‘Ball Arena’, lojtarët e Nuggets shfrytëzuan më së miri entuziasmin dhe atmosferën e shkëlqyer të krijuar në atë që është finalja e parë për ekipin nga Kolorado. Denver mori një avantazh prej 9 pikësh brenda periodës së parë, falë një Aaron Gordon që u shfaq i papërmbajtshëm në ato 12 minuta. Avantazhi për vendasit do të thellohej edhe më tej në periodën e dytë, duke e mbyllur gjithë pjesën e parë me rezultatin 59-42, ndërkohë që Miami do të provonte të rikthehej në lojë vetëm në periodën e katërt, por që nuk mjaftoi për ekipin e Spoelstra-s. Ata të Nuggets bënë një mbrojtje të shkëlqyer, madje duke qenë të kujdesshëm edhe me numrin e faullave. Për të kuptuar këtë, mjaft të përmendet fakti se ata të Miami-t ekzekutuan vetëm 2 gjuajtje të lira gjatë gjithë ndeshjes dhe asnjëherë më parë në finalet e mëdha të NBA nuk kishte ndodhur që një skuadër të gjuante kaq pak. Nikola Jokic regjistroi një tjetër ‘triple-double’, i nënti në fazën ‘playoffs’ të këtij sezoni, me 27 pikë, 10 ribaunde e 14 asiste, duke qenë i saktë në 10 gjuajtje të lira, nga 12 tentativa në total. ‘The Joker’ u bë lojtari i dytë në historinë e NBA që ia del të kompletojë një ‘triple-double’ në ndeshjen e tij debutuese në finalet e mëdha, pasi diçka të tillë, e ka realizuar vetëm Jason Kidd, në finalet ndaj Los Angeles Lakers, në kohën kur luante për Neë Jersey Nets. Ndeshje të mirë në ‘Ball Arena’ bëri edhe Jamal Murray, i cili u ndal në 26 pikë, 6 ribaunde e 10 asiste. Aaron Gordon e mbylli me 16 pikë, kurse Michael Porter Jr. me 14 pikë e 13 ribaunde. Tek Miami, shënuesi më i mirë ishte Bam Adebayo, me 26 pikë, 13 ribaunde e 5 asiste. Gabe Vincent shënoi 19 pikë, kurse Haywood Highsmith 18, ndonëse e nisi ndeshjen nga stoli. Ai arriti të kishte minuta për shkak të lojës së dobët të Max Strus, që nuk shënoi as edhe 1 pikë të vetme, ndonëse tentoi 10 gjuajtje, 9 prej të cilave nga përtej harkut. Vetëm 3 pikë nga ana e Caleb Martin, që kishte qenë faktor në dy takimet e fundit ndaj Boston Celtics. Ndërsa Jimmy Butler u ndal në 13 pikë, 7 ribaunde e po aq asiste, me liderin e Miami-t që duhet të mbledhë edhe njëherë forcat, për t’ju përgjigjur rivalëve nga ‘Konferenca e Perëndimit’.