Tjetër lojtar i Juventusit i pakënaqur me trajnerin Allegri

Sport

Federico Chiesa është lojtari i radhës i Juventusit që nuk është i lumtur me trajnerin Massimiliano Allegri. Sipas mediave të huaja, italiani është i pakënaqur me mënyrën taktike të lojës së trajnerit, e gjtihashtu nuk i pëlqen fakti që nuk luan në pozicionin e tij të preferuar.

Në kushte si këto, nëse Allegri mbetet në krye të Juventusit edhe për edicionin tjetër, atëherë mundësitë janë shumë të mëdha që Chiesa të kërkojë largimin nga Zonja e Vjetër. Ish-futbollisti i Fiorentinës, fillimisht u bë pjesë e Juventusit në formën e huazimit dhe më pas, torinezët vendosën që të blinin përfundimisht kartonin e tij.

Kontrata e anësorit të sulmit me klubin bardhezi është e vlefshme deri në verën e 2025-tës, por duke marrë parasysh aktualitetin e paqëndrueshëm, atëherë nuk përjashtohet mundësia që së shpejti, italiani të kërkojë një aventurë të re në karrierë.

Mirëpo, Chiesa nuk është lojtari i vetëm që është i pakënaqur me metodën e lojës së trajnerit Allegri. Dusan Vlahoviç dhe Angel Di Maria janë dy futbollistët e tjerë të organikës bardhezi që po kalojnë një moment të vështirë në fushën e lojës dhe për një situatë të tillë, ata bëjnë me përgjegjësi, pikërisht trajnerin Allegri.

Madje, përpara ndeshjes së fundit në kampionat, atë ndaj Bolognas, ku Juventusi u ndal 1-1, vetëm që të mos ishte pjesë e skuadrës, Di Maria shpiku edhe një dëmtim të paqenë, sepse ai nuk e konsideron më veten si të rëndësishën nën urdhërat e Allegrit.