UCL, Inter merr konfirmimin; në ‘San Siro’ do të ketë një event të madh për finalen

Sport

Interi do të luajë në finalen e ‘Champions League’-ës për herë të parë nga viti i ‘tripletës’, me shpresën për të kurorëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme ecurinë fantastike në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Skuadra zikaltër po i merr të gjitha masat për mbrëmjen e madhe të 10 qershor dhe drejtuesit janë kujdesur edhe për tifozët që nuk kanë mundur të gjejnë një biletë për në Stamboll. Ditën e finales, në stadiumin e ‘San Siro’-s do të instalohet një ekran gjigand prej plot 400 metrash katrorë, që do të vendoset në atë që njihet si tribuna portokalli, në katin e parë, e që do t’u japë mundësi tifozëve të shijojnë në maksimum, të gjithë së bashku, emocionet e forta që do të vijnë nga përballja me Manchester City. Klubi milanez ka gjetur në kohë rekord një marrëveshje me bashkinë dhe disa kompani private, për të nisur menjëherë punën për organizimin e këtij eventi gjigand, në një mbrëmje kaq të rëndësishme për historinë e zikaltërve. Siç vetë klubi zbuloi, biletat për eventin në ‘San Siro’ do të dalin në shitje vetëm në datën 6 qershor dhe tifozët do të kenë mundësi të ulen në katin e parë e të dytë të tribunave kryesore, me ngjyrën e kuqe, blu e jeshile. Po ashtu, do të ketë edhe vende të veçanta që do të vendosen në fushën e blertë, ku sigurisht, bileta do të jetë më e shtrenjtë. Ata të kategorisë së parë do të kushtojnë 20 euro, të kategorisë së dytë 14 dhe ato të nivelit të tretë vetëm 10 euro. Ndërsa në fundin e ndeshjes, pavarësisht rezultatit, tifozët duhet të dalin normalisht nga stadiumi. Populli interist është shfaqur menjëherë shumë entuziast për eventin, prandaj pritet një interesim i madh për biletat më 6 qershor, në mënyrë që zikaltërit të ndajnë bashkë çdo sekondë të finales së madhe të Stambollit.