Interi po përgatitet për të transferuar një sulmues me parametra zero…

Sport

Interi po përgatit terrenin për të transferuar një sulmues me parametra zero në merkaton e verës. Fjala është për Edinson Cavanin, i cili dy sezonet e fundit i ka kaluar në radhët e Manchester United.

Mirëpo, këtë herë, largimi i uruguaian nga Old Trafford duket i pashmangshëm, duke marrë parasysh këtu se mes tij dhe klubit, deri më tani nuk ka asnjë përpjekje për të rinovuar kontratën.

Në këto rrethana, kampionët në fuqi të Italisë janë një ndër klubet që kanë shfaqur më tepër interes për të siguruar shërbimet e Cavanit.

Transferimi i futbollistëve me kosto zero, është diçka që ka funksionuar ndjeshëm në merkato përgjatë viteve të fundit, aq më tepër që në radhët e Interit, personazhi që kopsit këto marrëveshje, quhet Giuseppe Marotta, i njohur për lëvizje të bujshme, me pak, ose aspak shpenzime.

Ndonëse në moshën 35 vjeçari, gjigantët e Serisë A, kanë besim tek Cavani dhe këtë e tregojnë 360 golat e shënuar në nivel klubesh, pa llogaritur këtu edhe 54 finalizime me përfaqësuesen e Uruguajit.

Ky rast mund të jetë i ngjashëm me atë të Edin Dzekos. 36 vjeçari edhe pse u transferua me shumë pikëpyetje në San Siro përgjatë verës së shkuar, deri më tani, mund të konsiderohet absolutisht si një lëvizje e zgjuar. Me fanellën zikaltër, boshnjaku ka arritur të shënojë 16 gola dhe të shërbejë 9 asist në 39 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet.