Ish-kapiteni i Atleticos, Tiago krahason Joao Felix me Griezmann

Sport

Joao Felix ka qenë një prej fenomenëve të rinj të futbollit europian. Zbulimi i sezonit tek Benfica dhe pritet të jetë ndër emrat më të lakuar në merkaton e kësaj vere. 19-vjeçari portugez ka mahnitur me aftësitë e tij, ku në 43 ndeshje me fanellën e kampionëve të saposhpallur të Portugalisë, numëron 20 gola dhe 11 asiste. Joao Felix është përfolur të jetë objektiv i shumë skuadrave, mes tyre edhe Atletico Madrid. Ish-kapiteni i ‘los rojiblancos’, Tiago Mendes, ka folur pikërisht për talentin e Benficas, të cilin e krahason me yllin në largim të Atleticos, Antoine Griezmann. Sipas Tiagos, aftësitë e dy futbollistëve në fjalë janë shumë të ngjashme. Ai shton gjithashtu se Joao Felix dhe Griezmann ngjasojnë jo vetëm për mënyrën se si godasin apo pasojnë, por edhe për mënyrën se si lëvizin në fushë, si e lexojnë ndeshjen apo si përshtaten me shokët e skuadrës. Pra Joao Felix shihet si një zëvendësues i denjë i Antoine Griezmann tek Atletico Madrid, mirëpo klubi spanjoll duket se do ta ketë të vështirë të kompletojë transferimin e tij, duke qenë se në garë për talentin portugez janë edhe skuadra të tjera të mëdha si, Manchester City, që nuk e ka problem të shpenzojë shumë të mëdha për të marrë kartonin e një lojtari kaq premtues sa Joao Felix. Benfica ka një klauzolë në kontratën me 19-vjeçarin që shkon në shifrën e 100 milionë eurove.