Renato Sanches çmend gjigandët e Europës

Sport

2313709_w2.jpg

 

Ai quhet Renato Sanches, është vetëm 18-vjeç dhe që në vitin e parë si lojtar titullar te Benfica ka bërë që klubet më të mëdha të Evropës të çmenden pas tij. Manchester United më shumë se të gjitha skuadrat e tjera, duket të jetë gati për të bërë përpara me një ofertë konkrete. Shtypi portugez raportoi të dielën se “Djajtë e Kuq” kishin shqyrtuar mundësinë për një ofertë prej 40 milionë eurosh kjo sipas një formule që parashikonte 30 milionë kesh dhe 10 milionë të tjera në formë bonusi. Në Lisbonë ka kohë që flitet se Manchester United po bisedon me drejtuesit e Benficës për shërbimet e 18-vjecarit, por ndërkohë këto lajme duket se kanë nxitur Arsenalin që të dërgojë vëzhguesit e saj atje. Sanches, debutoi me skuadrën e parë në kampionatin portuges vetëm në nëntor të vitit të kaluar, ai luan si mesfushor, por është i aftë të sillet edhe si lojtar krahu apo mesfushor i avancuar. Këtë sezon ka zhvilluar 14 ndeshje me skuadrën e parë, ku në dy prej tyre madje ka përjetuar edhe magjinë e Champions League-ës. Pikërisht për shkak të interesimeve të shumta, në dhjetor Benfica e blindoi 18-vjecarin me një kontratë të vlefshme deri në vitin 2021, por si duket edhe kjo masë nuk mundet t’i mbajë larg klubet e mëdha, të cilat kanë gjithmonë oreks për talente.