Itali, Ancelotti thuhet të jetë i përzgjedhuri për kombëtaren

Sport

ancelotti
Në Itali e raportojnë për gjë të mbyllur, Federata e Futbollit ka marrë dakordësinë e Carlo Ancelottit për të drejtuar kombëtaren e kaltër. Sportmediaset raportoi të martën se ish-trajneri i Bayernit mund të jetë në krye të përfaqësueses italiane që më 28 maj në ndeshjen kundër Arabisë Saudite. Kështu spekulimet e javëve të fundit që përflisnin për një parapëlqim të Roberto Mancinit, vihen në një plan të dytë. Sportmediaset raportoi se në Romë, Ancelotti ka kryer një takim me Roberto Fabriccinin dhe Alessandro Costacurtan. Ky thuhet të jetë takimi i dytë mes palëve në më pak se një muaj. Ky sipas Sportmediaset është sinjali kryesor se Federata ka vendosur përfundimisht për angazhimin e 58-vjecarit.

ancelotti222

Ancelotti thuhet se ka qenë i dyzuar në fillim, kjo pas lajmit se Arsene Wenger do të largohej nga Arsenali dhe se me shumë gjasa ai do mund të ishte një alternativë. Por ky takim i dytë thuhet se i ka ndryshuar krejtësisht gjërat. Sportmediaset këmbëngul se ditët në vazhdim do t’i japin edhe më tepër qartësi kësaj situate. Italia që prej 15 nëntorit nuk ka më një trajner. Gian Piero Ventura u shkarkua pasi të kaltrit dështuan të kualifikoheshin për në botëror. Ancelotti, gjithashtu i shkarkuar nga Bayerni më 29 shtator, qe shprehur se kishte vendosur ta bënte pushim deri në fund të sezonit. Megjithatë Sportmediaset shkruan se Federata Italiane e do atë në krye të përfaqësueses që në ndeshjen e 28 majit kundër Arabisë Saudite në Zvicër.