Italia, Donnarumma ‘mirëpret’ Spalletti-n dhe zbulon mësimet e marra nga Buffon

Sport

Skuadra përfaqësuese e Italisë tashmë do të udhëhiqet nga Luciano Spalletti, i cili mori drejtimin si trajner i kombëtares ‘azzurre’ pas largimit të papritur të Roberto Mancini-t. Kjo nuk duket se ka ndryshuar shumë ambjentin brenda grupit, me lojtarët më të rëndësishëm të ekipit që presin gjërat të mëdha me teknikun e ri. Një prej tyre është edhe portieri Gigio Donnarumma, i cili ka qenë ndër të parët që në një farë mënyre, i ka uruar ‘mirëseardhjen’ trajnerit që shpalli kampion Napolin në ‘Serie A’ në sezonin e kaluar. Portieri i Paris SG mendon se Spalletti mund ta dërgojë skuadrën në një nivel tjetër, ku synimet kryesore do të jenë sigurisht tek realizimi i objektivave madhorë. 24-vjeçari e pranoi se ekipi do të kërkojë kohën e vet për të perfeksionuar gjërat sipas mënyrës së trajnerit të ri, por duke njohur filozofinë e Spalletti-t, portieri është i bindur se gjërat do të kuptohen që në takimet e radhës së Italisë. Skuadra e drejtuar nga tekniku 64-vjeçar do të luajë fillimisht një transfertë që nuk sjell aspak kujtime të mira ndaj Maqedonisë së Veriut e më pas do të rikthehet të luajë në Milano, ndaj Ukrainës.

Ndërkohë Donnarumma foli edhe për ndikimin që Buffon ka patur në ecurinë e tij në futboll, duke e pranuar se gjërat më të rëndësishme të fushës së lojës, ai i ka fituar pikërisht falë mbështetjes së legjendës së futbollit italian. Për gardianin e Paris SG, Buffon ka qenë numri 1 në çdo aspekt, prandaj ai është i lumtur që ka patur fatin të punojë krah tij, për t’u bërë një njeri dhe një lojtar edhe më i mirë.