Ja kë skuadër sheh Ancelotti si fituese në Botëror

Sport

Ancelotti

Ka marrë pjesë në 2 Botërorë si futbollist (1986 e 1990) dhe në një si asistent i Arrigo Sachit në vitin 1994. Dhe me aq sa ka përjetuar, Carlo Anceloti e konsideron një përvojë fantastike, ndër më të mirat e jetës së tij. Mirëpo tashmë duke marrë rolin e analistit, në një intervistë për revistën e “Goldman Sachs” ka hedhur kartat e Botërorit në Rusi, duke u munduar të shohë që tani drejt finales. “Mendoj se janë dy skuadra që mund të fitojnë Botërorin dhe këto janë Brazili e Spanja. Pastaj prapa tyre ka një grup skuadrasg, si Franca dhe Gjermania, që kanë shumë përvojë. Pa harruar as Argjentinë, pasi ka një nga lojtarët më të mirë të momentit, Lionel Messi”, ka thënë italiani. Gjithsesi, si fituesin më të mundshëm, tekniku i sapoemëruar i Napolit duket se ka një emër: “Mendoj se Brazili ka më shumë mundësi, përderisa tekniku i ri ka ndërtuar së fundi një mbrojtje të fortë. Prandaj, duke ditur që kanë edhe një cilësi fantastike në sulm, mendoj se ka një ekuilibër të mirë për të qenë favoritët e këtij Botërori. Gjithsesi mbetet e vështirë të fitosh një Botëror, sepse duhet të jesh në formën e duhur fizike, duke pasur mentalitetin e duhur”, ka shpjeguar tekniku.
Mirëpo, Anceloti sheh edhe mjaft të ashtuquajtura “mina me sahat”: “Them se ka dy skuadra që mund të nënvlerësohen. Belgjika, që ka shumë lojtarë të cilët luajnë në Premier League, si dhe Kroacia, që zotëron mjaft futbollistë me përvojë dhe cilësi. Njëra nga të dyja mund të jetë surpriza”, ka përfunduar 59-vjeçari. Ndër lojtarët që mund të impresionojnë, ai ka përmendur Messin, Ronaldon e Neymarin, mirëpo pa harruar as Griezmann apo Mbappe.