Juventus nuk heq dorë nga Lukaku, ofrojnë dy lojtarë të tjerë

Sport

Tërheqja e Manchester United nga tratativat për shkëmbimin Lukaku-Dybala ka prishur disi planet e Juventus, pasi bardhezinjtë kishin arritur akordin me Lukakun dhe e mendonin transferimin si të mbyllur. Mediat italiane kanë zbuluar se jo vetëm kërkesat për një pagë prej 20 milionë eurosh në sezon, por edhe komisionet e larta të kërkuara nga agjetni i Dybalas, kanë bërë që United të ndalojnë bisedimet. Por Juventus nuk ka ndërmend të heq dorë dhe së fundmi raportohet se kampionët e Italisë do të ofrojnë dyshën Mario Mandzukic dhe Blaise Matuidi për të arritur tek Lukaku. Mandzukic ka tërhequr dhe më parë interesin e Manchester United, ndërsa Matuidi nuk duket në listën e dëshirave të Solskajer, por që do të ishte një përforcim i mirë për mesfushën.

Megjithatë, mediat raportojnë se klubi anglez do të kërkojë edhe një shifër parash si pjesë të kësaj tratative, pasi ‘djajtë e kuq’ e vlerësojnë Lukakun mbi 80 milionë euro. Sulmuesi belg pret transferimin në ‘Serie A’, me njërën mes Juventus dhe Inter. Lojtari duket se e ka të thjeshtë të gjejë akordin personal me secilën nga skuadrat, por mbetet për t’u parë se cili prej klubeve do të bëjë ofertën më të mirë për Manchester United. Juventus vijon të këmbëngulë më përfshirjen e shkëmbimit të lojtarëve, ndërsa Inter nga ana tjetër ka ofruar 70 milionë euro, plus 5 milionë të tjera në formë bonusi. United kërkon 83 milionë euro, por diferencat mes ofertës dhe kërkesës nuk janë të mëdha.