Juventusi, 50 mln për Zaniolon

Sport

Juventusi po vijon betejat ne merkato për të përforcuar skuadrën në mënyrë që deshtimi i sezonit të fundit të mos përsëritet. Shumë emra janë përmendur disa janë konkretizuar si Pogba, të tjerë janë pranë firmës si psh Di Maria, megjithatë klubi vijon të punojë dhe fokusi është kthyer tek Nicolo Zaniolo. Talenti 23 vjecar i Romës ka përfunduar në zemrën e merkatos për shkak se janë raportuar pakënaqësitë e tij kundrejt klubit dhe anasjelltas dhe edhe pse herë pas here raportohet për hapa përpara drejt rinovimit gjasat janë që ai të largohet që këtë verë nga kryeqyteti italian. Sipas mediave në gadishullin apenin, bardhezinjtë e kanë përmirësuar ofertën duke eliminuar vendosjen e futbollistëve të tjerë , por duke i ofruar Romës vetëm para dhe fjala është për 50 milion euro. Formula është ajo e huazimit me detyrim blerjeje. Verdhekuqtë do të përfitonin 10 milion euro menjëherë dhe 40 milion të tjera në verën e 2023-it. Kujtojmë që lojtari ka një kontratë me Romën deri më vitin 2024. Nëse kjo ofertë e raportuar merr përmasa zyrtare, atëherë ka shumë mundesi që kalimi i Zaniolos në Torirno të realizohet me sukses, sepse 50 milion euro është edhe kërkesa e Romas për ta lënë të lirë futbollistin. Sigurisht rruga duket më e thjeshtë se sa realisht është, por nëse bardhezinjtë operojnë me kujdes atëherë do të afronin në skuadër një tjetër talent të futbollit italian pas Federico Chiesës, lojtar me të cilin Zaniolo ndan një të shkuar të përbashkët sepse të dy kanë luajtur në grupmoshat e Fiorentinës. Emri i Nicolo Zaniolos është përmendur në listën e shumë klubeve, por me sa duket për momentin Juventusi është nje hap përpara të tjerëve.