Juventusi rikthehet tek fitorja, vështirësohet mbijetesa për Sampdorian

Sport

Juventusi e ka lënë pas humbjen në Romë dhe është rikthyer menjëherë në rrugën e fitores. Në shtëpinë e saj, Zonja e Vjetër, ka mposhtur Sampdorian, me rezultatin 4-2, ndeshje e vlefshme për javën e 26 të Serie A.

Vendasit kaluan shumë shpejt në avantazh të dyfishtë, me anë të Bremer dhe Rabiot, në minutat 11 dhe 26-të. Vlen të theksohet forma pozitive e mbrojtësit të qendrës, Bremer, I cili e ka hedhur pas shpine dëmtimin e rëndë dhe tashmë po shijon një moment mjaft pozitiv në fushën e lojës.

Duke nisur që nga sezoni 2019/20, braziliani ka realizuar 9 gola me kokë. Në 5 ligat kryesore të kontinentit, vetëm Virgil Van Dijk I Liverpool ka shënuar më shumë sesa lojtari I Juventusit, plot 10 të tillë.

Mirëpo, reagimi I Sampdorias ishte befasues. Në të 31-tën, Augello ngushtoi fillimisht diferencën, ndërsa do të kalonin vetëm 72 sekonda dhe ekipi mik riktheu çdo gjë në ekuilibër, me anë të Djuriçiç. Nuk ndodhte që nga Maji I 2011-tës që Juventusi të pësonte dy herë në një hark kaq të shkurtër kohor, atëherë kur për 61 sekonda, pësonte dy herë ndaj Chievos.

Megjithatë, në fraksionin e dytë, Zonja e Vjetër mori situatën në kontroll. Në të 64-tën, Adrien Rabiot shënoi të dytin personal, duke rikthyer Juventusin në epërsi, përpara se Dusan Vlahoviç të shpërdoronte një penallti në të 69-tën.

Në të 4-tën minutë të shtesës, do të kishte vend edhe për një tjetër gol. Matias Soule shënoi të 4-tin për skuadrën e Massimiliano Allegrit. Djaloshi argjentinas, u bë në këtë mënyrë lojtari I parë I lindur në vitin 2003 që shënon një gol në Serie A me skuadrën e Juventusit.

Pas këtij 3 pikëshi të marrë, bardhezinjtë klasifikohen të 7-tët në renditje me 38 pikë, ndërsa Sampdoria Sampdoria mbetet në vendin e fundit të tabelës me vetëm 12 pikë. Misioni I mbijetesës për ekipin e drejtuar nga Dejan Stankoviç, sa vjen e bëhet gjithmonë e më I vështirë.