Klopp thumbon Guardiolan mbi finalen e Champions

Sport

Finalja e Champions League po afrohet dhe për Liverpulin është “e treta e vërteta”, pasi ka humbur një finale të Ligës së Evropës dhe një të Champions League. Jurgen Klopp në konferencën për shtyp disa ditë para finales ka deklaruar se është i emocionuar që po i jepet një shans i ri. “Tani, natyrisht që kemi më tepër përvojë, por kjo nuk është se bën shumë ndryshim. Finalja e Kievit ka pasur një impakt të madh mbi ne. Por tani jemi sërish para mundësisë për të fituar trofeun dhe është e pabesueshme. Kurrë s’kam luajtur një finale me një skuadër më të fortë se kjo që kam”, ka thënë fillimisht tekniku.
Gjithashtu, trajneri gjerman i është përgjigjur edhe trajnerit të City-t, Pep Guardiola, i cili ishte shprehur se titulli i Premier League ishte më i rëndësishëm sesa ai i Champions League. “Pep e ka thënë këtë, ngaqë nuk ka qenë në finalen e Champions prej disa vitesh. Ne e kemi këtë mundësi për të dytën herë radhazi”, u mjaftua të thotë Klopp, duke lëshuar një kunjë për spanjollin.
Ai, ndër të tjera, ka dashur të ndajë ndeshjet e kampionatit të fituara me Tottenham dhe këtë që përgatiten të luajnë në Madrid. “Kjo është një finale evropiane dhe do të jetë totalisht ndryshe. Bëhet fjalë për një sfidë speciale. Për mua do të ishte kulmi i karrierës së deritanishme, sikur të fitoja këtë finale të Champions me Liverpulin. Deri tani, momentin më i mirë ka qenë ngjitja në kategori me Mainc në 2004-n”, u shpreh gjermani.
Klopp ka konfirmuar mungesën e Naiba Keita, ndërsa Firmino me shumë mundësi do të rikthehet i gatshëm, përderisa ka nisur stërvitjen dhe trajneri ka deklaruar se me siguri do të jetë në gjendje të luajë kundër Tottenham.