Kumbulla tregon kush e bindi për të zgjedhur Shqipërinë

Sport

Ai është padyshim një nga surprizat më të bukura të këtij fillimi të sezonit. Edhe pse në vitin e tij të parë në elitën e futbollit italian, sërish Marash Kumbulla ka treguar potencialin, aftësitë dhe karakterin e duhur. Por fatkeqësisht, një dëmtim e ka lënë mbrojtësin për momentin jashtë fushave, aq sa u detyrua të mos jetë në dispozicion të Kombëtares për dy ndeshjet e radhës. Sidoqoftë, 19-vjeçari ka përfituar nga pauza e kampionatit, për të dhënë një intervistë për Sky Sport në Itali.
“Kam pësuar një dëmtim të vogël, por për fat nuk është asgjë e rëndë. Shpresoj të rikthehem sa më shpejt të jetë e mundur për të ndihmuar Veronën, skuadër me të cilën e kam nisur që në moshën 8 vjec.
E tashmë, po me atë ekip – me të cilin jam tifoz -, kam realizuar edhe ëndrrën time për të luajtur në Serinë A. Mendoj se ëndrra e kujtdo është të luaj në Serinë A. Unë e doja shumë këtë dhe ia arrita, edhe falë familjes sime.
Gjithashtu, Kumbulla është shprehur i kënaqur që bën pjesë në përfaqësuesen shqiptare, për aktivizimin me të cilën tregon se e ka bindur Reja:
“Nga origjina jam shqiptar, ndihem si italian ashtu edhe shqiptar. Por, kam zgjedhur të luaj për Shqipërinë. Çfarë më ka thënë trajneri Reja? Më ka thënë se më njihte dhe se i pëlqeja. Më bëri të debutoja dhe e falënderoj. Tashmë, duhet të vazhdoj kështu, ndoshta të përmirësohem në disa aspekte”, ka deklaruar Kumbulla. Sipas tij, sekreti i mbrojtjes së hekurt që ka shfaqur Verona në këtë sezon është meritë e trajnerit.