Kupa e Italisë, Milani shkëlqen në ‘San Siro’!

Sport

Entuziasmi për derbin e fituar në kampionat duket se po e frymëzon Milanin e Stefano Piolit të shfaqë më të mirën në fushën e lojës. Kuqezinjtë kanë triumfuar në sfidën çerekfinale të ‘Kupës së Italisë’ përballë Lazio-s, duke i shënuar 4 gola skuadrës së Maurizio Sarri-t, në një ndeshje që nuk pati histori. Milani në fakt e siguroi fitoren brenda fraksionit të parë të lojës, duke shënuar 3 gola. Fillimisht Rafael Leao shfrytëzoi shpejtësinë e tij pas një asisti të kapitenit Romagnoli, për të mposhtur portierin Reina në minutën e 24-t. 5 minuta nga fundi i pjesës së parë, vetë Leao do të kthehej në asistues, me Olivier Giroud që finalizoi në mënyrë identike edhe golin e tretë të sfidës, pas një pasimi të Theo Hernandez në kohën shtesë. Dopietë në derbi dhe dopietë e rëndësishme edhe në ‘Kupën e Italisë’ për sulmuesin francez, i cili më në fund po shfaq atë që tek Milani e prisnin prej kohësh. Goli i katërt do të realizohej në pjesën e dytë, me Franck Kessie që shfrytëzoi si duhet kaosin e krijuar në zonën e Lazio-s në minutën e 79. Mesfushori festoi ‘si president’ përpara tifozëve kuqezinj, që nga ana tjetër kërkojnë nga Kessie të vendosë nëse do të rinovojë apo jo kontratën e tij me Milanin. Një fitore 4-0 ndaj Lazio-s, që shijon shumë për Piolin dhe drejtuesit kuqezinj, duke parë mënyrën se si u shfaq skuadra në fushën e lojës. Tani, Milanin e pret një përballje e dyfishtë në gjysmëfinale me Interin, çfarë do të ndezë edhe më shumë sezonin e dy ekipeve të Milanos. Zikaltërit kaluan më herët 2-0 Romën dhe sfidat ndaj Milanit mund të jenë mjaft të rëndësishme në ecurinë e skuadrës së trajnerit Inzaghi.