Kush janë legjionarët kuqezi në dilemë për të ardhmen?

Sport

Një pjesë e konsiderueshme e legjionarëve shqiptar vazhdojnë të gjenden në pikëpyetje sa i takon të ardhmes së tyre. Një nga futbollistët më të lakuar në këtë periudhë mbetet mbrojtësi Elseid Hysaj. Futbollisti i Napolit ka vendosur të largohet nga “San Paolo” dhe duket se Roma për momentin është destinacioni më i mundshëm për të. Madje flitet që së fundi, shkodrani ka marrë edhe një telefonatë nga vetë trajneri i verdhekuqve, Paulo Fonseka. Pengesa e vetme që mban peng të ardhmen e futbollistit shkodran është kërkesa e Napolit prej 20 milionë eurosh, ndërkohë që Roma duhet të shesë përpara danezin Karsdorp në mënyrë që të sigurojë para’ për t’i investuar tek Hysaj.

Ende pezull vijon të mbetet Armando Sadiku, për të cilin e sigurtë është se nuk bën pjesë në planet e Levantes. Trajneri Paco Lopez nuk e ka aktivizuar sulmuesin në asnjë prej takimeve miqësore, duke i dhënë sinjal që nuk e sheh në projektin e tij. Sadiku ka oferta nga kampionati turk, por duket se kërkon të qëndrojë në Spanjë, aty ku ka interes nga disa klube të Segunda Division, kampionat në të cilin luajnë edhe dy shqiptarë të tjerë, si Rey Manaj e Keidi Bare. Edhe Sokol Cikalleshi mund të largohet nga Turqia ku aktivizohet prej katër sezonesh.


Aventura në futbollin turk është shoqëruar me ulje-ngritje për sulmuesin e rikthyer në kombëtare nga teknikut Reja. Por synimi i tij, gjithsesi është të luajë në një skuadër që nuk është në ligën e dytë, sic ndodh aktualisht me Akhisarin. Gjithashtu edhe Kristal Abazaj, një ndër emrat më të lakuar në Shqipëri, i cili konsiderohej si e ardhmja e sulmit të kombëtares, mund të rikthehet tek Anderlechti në Belgjikë, ose të vijojë edhe për një tjetër sezon tek Osijeku në futbollin kroat. Gjithashtu edhe lojtarë të tjerë kuqezi si Balliu, Ajeti, Grezda dhe Aliji janë në kërkim të një aventure të re. Por momentalisht janë duke vlerësuar me imtësi situtatën, në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen e duhur për të ardhmen e tyre.