Tregoni kujdes nga ‘Gripi i syrit’, është ngjitës! Ja si ta kuptoni dhe kuroni atë…

Lifestyle

Ndoshta nuk e keni dëgjuar më parë, por në vendin tonë po përhapet me shpejtësi një sëmundje që njihet si gripi i syrit.
Termi shkencor me të cilin do e hasni është keratokonjutiviti epidemik. Alarmi qëndron në faktin se ky virus epidemik është ngjitës.
Transmetimi kryesor është nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë të gishtave me sytë. Sytë preken me duar në mënyrë të pavullnetshme rreth 14 herë në ditë. Padiskutim ata që preken mvs humë janë fëmijët por edhe vajzat e gratë të cilat përdorin në përditshmëri produkte kozmetike.
Ky virus është mjaft rezistent dhe qëndron gjatë në mjediset që nuk pastrohen dhe dezinfektohen.
Mjediset e ndotura me këtë virus, peshqirët, këllëfët e jastëkëve të ndotur apo shtrëngimi i duarve, mund të bëhen shkak për transmetimin e virusit. Gjithashtu ai përhapet nëpërmjet ajrit gjatë kollitjes apo teshtitjes.
Pra virusi mund të gjendet kudo, por kryesisht mund të transmetohet në pishina, në vende ku kryhet make-up apo në institucione të kujdesit shëndetësor nga duart e personelit.
Shenjat kryesore janë:
• Skuqje e të bardhës së syrit
• Enjtje e kapakëve të syrit apo konjuktivës
• Lotim i vazhdueshëm i shtuar
• Shqetësim nga drita
• Ndjesi e një trupi të huaj në sy apo ndjesi për ta fërkuar syrin
• Kruarje, irritim apo djegie e syrit
• Krusta në kapakët e syrit apo qerpikë
• Personat që përdorin lente kontakti nuk mund t’i mbajnë ato pasi nuk ndihen mirë
Si parandalohet:
• Lani duart në mënyrë të vazhdueshme me ujë dhe sapun, dhe mësoni fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.
• Kontrolloni nëse keni dikë me këtë sëmundje, lani duart menjëherë pas kontaktit me të, dezinfektoni me produkte që përmbajnë klor sipërfaqet e prekura prej tij apo lani menjëherë me ujë të nxehtë dhe dezinfektantë sendet apo veshjet e prekura prej tij.
• Mos prekni sytë dhe mos i fërkoni ato kur jeni të sëmurë me këtë infeksion. Fërkimi i syrit përkeqëson gjendjen dhe e përhap atë edhe në syrin tjetër.
• Mënjanoni përdorimin e sendeve personale si peshqirët, këllëfët e jastëkëve apo çarçafët dhe batanijet, produktet kozmetike sidomos ato që përdoren për sytë, syzet etj.
• Mos përdorni lente kontakti kur keni shenja të këtij infeksioni derisa t’u thotë mjeku.
• Mos përdorni të njëjtin produkt (medikamentet në pika apo pomadat) për syrin e shëndetshëm. Pra, kur mjekoni syrin e sëmurë, për të vendosur pikat ose pomadën tek syri tjetër lani mirë duart dhe përdorni një pomade apo solucion tjetër, pavarësisht se lloji i produktit është i njëjtë.
• Pastroni mjediset publike dhe ato spitalore me dezinfektantë që përmbajnë klor, dhe kjo të kryhet vazhdimisht.