Kylian Mbappe ka zgjedhur klubin e ardhshëm të karrierës

Sport

Kylian Mbappe ka zgjedhur të transferohet tek Real Madrid. Gazeta prestigjoze gjermane, Bild, ka raportuar se yllli francez tashmë e ka marrë vendimin për të ardhmen, teksa në merkaton e verës do të transferohet me parametra zero në radhët e klubit spanjoll.

Sikurse thuhet paraprakisht, Mbappe do të firmosë një kontratë 5 vjeçare me Realin, me operacionin total që parashikohet të shkojë deri në 400 milionë euro. Në sezon, Mbappe do të përfitojë 70 milionë euro, ndërsa në momentin që do të firmosë, do të përfitojë një bonus prej 125 milionë eurosh, por që do të jetë i ndarë në shtrirjen kohore të 5 viteve.

Të paktën këto janë informacionet më të fundit që përcillen për Kylian Mbappe, i cili është në muajt e fundit të kontratës me PSG, çka do të thotë që në verë, përfiton të drejtën e plotë të largohet me kosto zero nga Parc des Princes.

Në fakt, prej vitesh tashmë, e ardhmja e Mbappe është kthyer në një telenovelë të stërgjatë, por që sipas rrethanave, fundi i të cilës duke mjaft pranë.

Nga drejtuesit madrilenë, Mbappe konsiderohet si lojtari kyç, që për shumë sezone, do të zgjidhë ngërçin e golave në repartin e sulmit.