Komplikohet situata e rinovimit të kontratës së Lautaro Martinez me fanellën e Interit

Sport

Situata e rinovimit të kontratës së Lautaro Martinez me Interin, ka nisur të bëhet e koklavitur. Prej kohësh, në ambientin zikaltër flitet se kapiteni do të rinovojë shumë shpejt, me krerët e klubit që janë shprehur optimistë për këtë gjë.

Madje, edhe vetë lojtari është shprehur publikisht se dëshira e tij është të hedhë të zezën mbi të bardhë, dhe këtë do ta bënte në momentin e parë që do t’i jepej mundësia.

Megjithatë, situata nuk është edhe aq e mbarë nga sa duket nga jashtë. Vetë agjenti i futbollistit, Alejandro Camano, në një lidhje radiofonike, kur është pyetur mbi një çështje të tillë, ka befasuar disi me përgjigjen e tij, duke thënë se palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare për të rinovuar, teska kanë mbetur mjaft detaje që presin të marrin përgjigje.

Thënë këtë, dita e rinovimit të Lautaros duket e largët, megjithëse rinovimi është diçka që nuk mund të përjashtohet për argjentinasin, i cili është projeketuar të jetë simboli i ardhshëm i skuadrës së Interit.

Në të tilla kushte, agjenti ka shtuar se klienti i tij, për momentin është i përqendruar vetëm në fushën e lojës, në mënyrë që të ndihmojë sa më tepër skuadrën në arritjen e rezultateve pozitive. E në fakt, diçka të tillë, Lautaro e vërtetoi në ndeshjen e fundit të Interit, teksa ndaj Napolit në finale të Superkupës, shënoi golin e vetëm të sfidës, duke ngritur një tjetër trofe me fanellën zikaltër.