Victor Osimhen drejt largimit në Napoli: E kam marrë një vendim për të ardhmen

Sport

Victor Osimhen ka bërë një deklaratë të papritur për të ardhmen e tij. Vetëm pak javë më parë, sulmuesi i qendrës rinovoi deri në verën e 2026-tës me Napolin, por që ai të vijojë të luajë ende për të kaltërit edhe për sezonin e ardhshëm, kjo duket mjaft e vështirë të ndodhë.

Këtë ka lënë të kuptohet vetë nigeriani, i cili kur është pyetur mbi një temë të tillë, nuk ka nguruar të përgjigjet.

“Unë e kam marrë një vendim për të ardhmen dhe kjo do ndodhë në fund të sezonit. Gjërat për mua janë shumë të qarta. Kam bërë një plan. E di mjaft mirë se çfarë do të bëj. Mendoj se 60% e njerëzve hamendësojnë se unë mund të transferohem në Premier League… Kampionati anglez është një nga më të mirët në botë, por më parë, do të pres të përfundoj këtë sezon me Napolin dhe më pas të vazhdoj me vendimin e radhës, që tashmë e kam marrë”, janë fjalët e 25 vjeçarit.

Në kontratën e re të Osimhen, që u rinovua në 23 Dhjetor të 2023-shit, u vendos gjithashtu edhe një klauzolë largimi, prej vetëm 120 milionë eurosh. Duke marrë parasysh çmimet e futbollistëve në tregun e merkatos përgjatë kohëve apo viteve të fundit, atëherë, për klubet e mëdha, një shifër e tillë, është mëse e përballueshme.

Thënë këtë, ashtu sikurse e ka bërë edhe vetë të ditur futbolllisti, Osimhen është duke luajtur sezonin e tij të fundit me Napolin, por ajo që mbetet për t’u konfirmuar, është kampionati ku lojtari do të luajë dhe skuadra në të cilën do të transferohet.