Liverpuli, a do t’ia dalë të përmbysë edhe Atleticon si… Barçën?

Sport

Të mërkurën në “Anfield”, Liverpuli do të ketë misionin e vështirë për të përmbysur humbjen e pësuar në takimin e parë në Madrid përballë Atleticos së Diego Simeones. Ndeshja me “Los colchoneros” vjen në momentin më të keq të të gjithë sezonit për skuadrën e Klopp, pas 3 humbjeve të pësuara në 4 sfidat e fundit. Ndërsa ndërprenë edhe serinë e pathyeshmërisë që zgjaste prej 44 ndeshjesh. Kampionët e Evropës rikthehen gjithsesi të luajnë në fushën e tyre, aty ku nuk kanë gabuar lehtë të paktën sa i takon ndeshjeve të fundit të Champions League. Për t’u kujtuar në këtë aspekt është përmbysja e realizuar vitin e kaluar në gjysmëfinalen me Barcelonën, kur të kuqtë në Anfield bënë të pavlefshëm avantazhin prej 3 golash që Barcelona pati fiksuar në Camp Nou.

Sidoqoftë, situata tani është paksa ndryshe, përderisa përballë do të kenë një Atletico, të aftë për t’u mbrojtur si një bunker. Këtë e tregoi edhe në takimin e parë duke mos lënë Liverpulin të krijonte rreziqe të mëdha. Një paralajmërim se përmbysja e Atleticos mund të mos jetë aq e lehtë se ajo me Barcelonën, e ka dhënë edhe një legjendë e klubit të kuq, si John Barnes. “Mendoj se është ndryshe të luash me Barcelonën dhe ndryshe përballë Atleticos. Natyrisht, Barca është një ekip më i mirë sesa Atletico, por jo në fazën mbrojtëse. Skuadra e Simeones është gjithmonë e vështirë për t’u çarë në prapavijë. Prandaj e shoh tepër të vështirë për Liverpulin”, shpjegoi Barnes, i cili gjithsesi u shpreh optimist se Klopp do të dijë të gjejë strategjinë e suksesit.