Lopetegui përballë kritikave, fitorja me Romën për një rinisje të mbarë të sezonit

Sport

lopet
Katër muaj pas finales së Kievit, Reali i Madridit, tashmë 13 herë kampion i Evropës e nis sezonin e Champions League-ës pa Cristiano Ronaldon, pa Zinedine Zidane dhe më e rëndësishmja, pa të njëjtin entuziazëm që solli një mori rekordesh për Los Blancos. Ardhja e Julen Lopeteguit në krye nuk i ka përmbushur dhe aq pritshmëritë. Finalja e Super-Kupës së Evropës qe zhgënjimi i parë. Humbja me Atleticon zor se përtypet në Madrid ndërsa merkatoja duhet thënë se ishte jashtëzakonisht e dobët. Pikërisht te kjo pjesë mediat në Spanjë janë ndalur shumë duke analizuar vendimet e Lopeteguit. Ish-trajneri i përfaqësueses, deri më tani, përvec Thibaut Courtois, nuk ka aktivizuar në ndeshje zyrtare asnjë nga transferimet që ai kreu gjatë verës.

Julen Lopetegui

Kështu Alvaro Odriozola, Vinicius Junior, apo dhe Mariano Diaz nuk janë parë kurrë në fushë. Totali që u shpenzua për ta ishte 97 milionë euro. Presioni ka qenë shumë i madh sidomos për rastin Vinicius. 18-vjecari brazilian u prezantua nga Perez si e ardhmja e Realit të Madridit, por përvec fazës përgatitore, pjesa tjetër prej tij është parë vetëm te Real Castilla. Dy herë është grumbulluar me skuadrën e parë, ndërsa Odrizola vetëm 1 herë. Shtypi vazhdon t’i drejtojë pyetjen e madhe, a do ta fitojë Reali i Madridit sërish Champions League-ën? Për këtë përgjigjia e parë duhet të vijë nga fusha, sigurisht që në ndeshjen me Romën, gjysmë-finaliste e sezonit që shkoi.