Luka Modriç rinovon zyrtarisht kontratën me Real Madrid

Sport

Luka Modriç rinovon zyrtarisht kontratën me Real Madrid edhe për një tjetër sezon. Diskutimet e shumta, që kanë zgjatur për muaj me radhë kanë marrë fund. Vetë lojtari, më herët ishte shprehur publikisht se dëshira e tij ishte të qëndronte në “Santiago Bernabeu”, por situata pësoi një lëkundje, në momentin kur në horizont u shfaqën ofertat arabe.

Sauditët e mbulonin mesfushorin me miliona dhe për një moment u mendua se Modriç do të largohej nga Real Madrid. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Gjiganti shtatshkurtër i mesfushës së Los Blancos vendosi të qëndrojë në Madrid edhe për një tjetër sezon, deri në verën e 2024-tës.

Epoka e Modriç në 14 herë kampionët e Europës ka nisur në 2012-tën dhe ajo se çfarë ka ndodhur më pas, është histori. Kroati, ka luajtur 488 ndeshje në të gjitha kompeticionet me Real Madrid, teksa ka shënuar 37 gola dhe ka kontribuar me 77 asiste.

Gjatë kësaj kohe, ballkanasi ka fituar 23 tituj me merenguez, por këtu duhet të veçojmë suksesin e 5-fishtë në Champions League, duke qenë protagonist absolut në çdo sukses.

Mirëpo, në “Bernabeu”, suksesi i Modriç nuk ka qenë vetëm kolektiv, por edhe individual. Në 2018-tën, mesfushori fitoi edhe Topin e Artë, dhe duhet thënë se në epokën e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, ai është lojtari i vetëm që ka triumfuar në këtë aspekt.

Ndonëse 37 vjeç, mosha për Modriç është vetëm një numër. Tashmë është e sigurt se edhe për një tjetër vit, magjistari i mesfushës, do të vazhdojë të dhurojë spektakël në nivele të larta.