Man.City gjen zëvendësuesin e Sane, klubi anglez interesohet për Leon Bailey të Leverkusen

Sport

Largimi i Leroy Sane nga Manchester City duket si një lëvizje e garantuar, pasi palët kanë rënë dakord për të vijuar në drejtime të ndryshme rrugët e tyre. Bayern Munich thuhet të jetë destinacioni i ardhshëm i Sane, por njësoj si verën e kaluar, Manchester City kërkon që fillimisht të sigurojë zëvendësuesin e gjermanit. Pikërisht nga ‘Bundesliga’ vjen emri i parë për Pep Guardiolan, i cili ka pikasur si pasardhësin e Sane, talentin e Bayer Leverkusen, Leon Bailey. Klubi anglez e ndjek prej kohësh 22-vjeçarin nga Xhamajka, por vetëm me largimin e Sane, mund të krijohen të gjitha mundësitë për transferimin e Bailey në Manchester. Për kartonin e tij, Leverkusen flitet se kërkon të paktën 40 milionë paundë, shifër e pranueshme kjo nga City, duke marrë parasysh edhe arkëtimet që do të vijnë nga largimi i Leroy Sane. Megjithatë, objektivi ‘Bailey’ nuk do të jetë një mision shumë i lehtë. Kjo, për shkak se lojtari ka pëlqimin edhe të disa skuadrave të tjera, të cilat mund t’i garantojnë edhe më shumë minuta në fushë. Arsenali është një prej atyre klubeve që e ka ndjekur prej kohësh situatën e Bailey, por duke parë fuqinë ekonomike të City-t, atëherë 22-vjeçari me gjasa do të zgjidhte të transferohej në Manchester se sa në Londër. Leon Bailey u transferua tek Bayer Leverkusen në janarin e 2017-ës, kur për të, gjermanët shpenzuan 13,50 milionë euro në arkat e belgëve të Genk. Me fanellën e Leverkusen, anësori nga Xhamajka numëron 107 ndeshje, ku ka arritur të realizojë 24 gola e të shërbejë 13 asiste, teksa konsiderohet si një nga lojtarët që krijon më shumë raste në Gjermani.