Jo vetëm Pjanic, por edhe Dybala ka refuzuar kalimin tek Manchester United

Sport

Manchester United vijon punën për t’u përforcuar në merkaton e verës me lojtarë të nivelit të lartë. Mediat zbuluan ditët e fundit se një nga objektivat e ‘djajve të kuq’ ishte edhe Miralem Pjanic, por mesfushori boshnjak refuzoi kalimin e tij në ‘Old Trafford’, pasi synon që të luajë për Barcelonën në sezonin e ardhshëm. Por një tjetër prapaskenë ka dalë në dritë. Miralem Pjanic nuk ka qenë i vetmi lojtar që Manchester United ka kërkuar ta shkëpusë nga radhët e Juventusit. Drejtuesit anglezë janë interesuar edhe për mundësinë e transferimit të Paulo Dybalas, por përgjigja ka qenë shumë e shpejtë, nga vetë lojtari. Njësoj si Pjanic, edhe argjentinasi ka refuzuar kalimin e tij në ‘Old Trafford’, pasi kërkon që fillimisht të qartësojë se cili do të jetë roli i tij në të ardhmen tek Juventus. United në fakt ka kërkuar që të përfshijë kartonin e Paul Pogba në këto tratativa, diçka që duket se ka bindur drejtuesit e Juventus, por pëgjigjet negative të Pjanic dhe Dybala, për momentin kanë hedhur poshtë çdo lëvizje të ngjashme. Megjithatë, për argjentinasin gjithcka mbetet e hapur, pasi në rast se 25-vjeçari nuk do të shihet më me prioritet nga ana e Sarrit dhe Juventus, atëherë ai do të shqyrtojë të gjitha mundësitë që do t’i paraqiten. Ndërkohë tek Manchester United vijojnë të kërkojnë një destinacion për Paul Pogba, i cili në një farë mënyre është kthyer në një ‘të padëshiruar’ në ‘Old Trafford’. Francezi nuk gëzon më besimin e drejtuesve apo edhe të tifozëve, por problemi qëndron tek kosto e lartë e kartonit të tij. Vetëm pak skuadra mund të plotësojnë kërkesat e Manchester United për kampionin e botës, por për momentin drejt tij nuk ka asnjë ofertë konkrete.