Manchester City përgatit rinovimin me ‘të preferuarin’ e trajnerit Guardiola

Sport

phidiidid
Ai cilësohet si një nga talentet më të mëdhenj të futbollit anglez e për këtë ka marrë edhe ‘bekimin’ e trajnerit Pep Guardiola, që ka vënë drejtuesi e skuadrës në lëvizje. Manchester City po përgatit rinovimin e kontratës për një kohë të gjatë me Phil Foden. 18-vjeçari, i cili shënoi golin e parë për klubin gjatë ndeshjes së ‘Kupës së Ligës’ ndaj Oxford United, është gati të rinovojë me skuadrën ku u formua si lojtar. Pep Guardiola është një nga simpatizuesit e Foden dhe mendon se në këtë sezon do të ketë më shumë hapësirë për të riun në skuadrën e parë. Marrëveshja aktuale e Foden me klubin e City është deri në vitin 2020, por të gjitha palët janë gati ta shtynë deri në vitin 2023.
“Ai është një talent i madh. Unë kënaqem kur e shoh duke luajtur dhe do të ketë shumë minuta në dispozicion sivjet. Dëshira jonë e përbashkët është të vazhdojmë punën me të. Eshtë ndër futbollistët e mi të preferuar, ndër më premtuesit. Ka grintë dhe potencialin për t’u bërë ndër më të mirët.” – ishin fjalët e Guardiolas për Foden.
Foden u krahasua së fundmi edhe me Andres Iniestan, por vetë 18-vjeçari tregohet modest dhe u përgjigjej këtyre krahasimeve duke thënë se do të donte që një ditë të arrinte të paktën gjysmën e atyre objektivave që realizoi në karrierë mesfushori spanjoll.