Mangësitë e shfaqura nga Kombëtarja e parë e 2018-s

Sport

kombetarja
Test zhgënjyes rezultoi ai që ishte i pari i këtij viti për Kristian Panuccin dhe Kombëtaren e tij, nga e cila trajneri italian priste përgjigje pozitive. Por nuk prodhoi asgjë për t’u veçuar. Mbi të gjitha u evidentuan problemet dhe defektet e kësaj skuadre kuqezi. Në radhë të parë tërhoqi vëmendjen sidomos mungesa e një organizaori aty në mesin e fushës, në gjendje për të shpërndarë lojën. Zgjedhja për t’i besuar dy lojtarëve si Xhaka, Qaka apo edhe risia Ramadani, të cilët kanë më shumë kanë muskuj, ishte aspak e goditur, për një rreshtim sulmues me dy krahë që kryesisht ka nevojë për furnizim me topa. Gjë që mungoi dukshëm ndaj Norvegjisë në “Elbasan Arena”. Një Basha apo një Kace më shumë, me siguri që do të kishin bërë mjaft punë në këtë aspekt e ndoshta edhe ndeshja do të kishte pasur më gjallëri.

komb
Mbrojtja ishte një pjesë tjetër, ku kuqezinjtë caluan. Periudha e mosaktivizimit nëpër klubet e tyre dhanë efekte jo të mira për Mavrajn dhe Ajetin në qendër. Aq sa jo më kot ishin ndër më zhgënjyesit në radhët e skuadrës që bëri një nga paraqitjet më të dobëta të epokës-Panucci. Nuk u provuan thuajse fare as afrimet e reja. Vetëm njëri prej tyre, Bujar Lika, pati minuta në fushë si zëvendësues i Hysaj. Ndërsa pjesa tjetër e risive duket se u morën thjesht për stërvitje. Do të kishte qenë më e udhës që të paktën Kristal Abazaj dhe Enis Gavazaj të shiheshin në veprim, si dy prej premtimeve të mëdha të futbollit shqiptar. Por edhe një herë, Panucci tregoi se i kishte marrë sa për të shuar kritikat në lidhje me injorimin e kampionatit shqiptar. Ndërkohë që me thirrjen e kotë të Abazajt i prishi punë edhe Shpresave të Bushit, pasi i mori një lojtar që mund të kishte bërë diferencën në ndeshjen zyrtare ndaj Sllovakisë. Vetë tekniku italian ka thënë se humbja i shërbeu si leksion. Nuk mbetet veçse të shpresohet të ketë zënë edhe mend, për ato që i munguan Shqipërisë ndaj Norvegjisë.