Martinez i jep një këshillë Lukakun, në lidhje me…

Sport

Romelu Lukaku ka qenë jo pak i përmendur për një largim nga Manchester United gjatë kësaj merkatoje, me Interin që mbetet pista kryesore për të vijuar karrierën e tij. Së fundmi për këtë çështje ka folur edhe trajneri i sulmuesit tek kombëtarja e Belgjikës, Roberto Martinez. Sipas këtij të fundit, gjërat për Lukakun tek Manchester United nuk kanë vijuar të ecin si në fillim dhe se është më mirë për të dyja palët që të ndërpresin bashkëpunimin. Martinez shton se United është lloji i klubit që nuk mban lojtarë të cilët nuk kanë dëshirë të veshin fanellën e ‘djajve të kuq’, prandaj është në dorën e vetë Lukakut për të bërë zgjedhjen e duhur.

Sezonin e kaluar, sulmuesi 26-vjeçar zhvilloi 45 ndeshje me Manchester United, ku ia doli të shënonte edhe 15 gola. Megjithatë, forma dhe rendimenti i tij ka qenë në ulje, diçka që trajneri Martinez thotë se e ka vënë re edhe tek grumbullimi i kombëtares belge. Lukaku është një dëshirë e madhe e Antonio Contes, që dëshiron ta ketë pjesë të projektit të tij të ri tek Inter, por deri më tani pengesë ka qenë kërkesa prej 80 milionë eurosh e United për të lëshuar kartonin e sulmuesit. Negociatat mes palëve vazhdojnë, ndërkohë që vetë Lukaku e ka shprehur qartë dëshirën për t’u bashkuar me Antonio Conten tek Interi.