Mbappe mohon zërat e largimit

Sport

Kylian Mbappè nuk do të largohet nga PSG. Këtë herë sulmuesi francez ishte i qartë dhe mendimet e tij i shprehu në vetën e parë në sytë e gjithë të apasionuarve të futbollit gjatë një interviste pas fitores së Psg në klasiken franceze kundër Marsejës: “Në Paris jam shumë i lumtur, nuk kam kërkuar kurrë të largohem. Thashethemet janë të trilluara dhe krejtësisht të pa bazuara”. Referenca e Mbappès është tek dëshira e supozuar e tij  për t’u larguar nga PSG që në janar, ku u përfol se i zhgënjyer nga mungesa e rolit të protagonistit absolut të skuadrës ku këtë rol po e ndan me Messin e Neymar, ai i kishte kërkuar presidentit Al-Kelaiffi të ndryshonte ambjent që në dritaren dimerore të merkatos.

Pas suksesit të skuadrës pariziene me Marsejën e Tudorit, Mbappè komentoi situatën: “Nuk më interesojnë të gjitha këto thashetheme që qarkullojnë, janë të stisura.  Një histori e tillë më befasoi edhe mua sepse është kretësisht e pa vërtetë“.- përfundoi super talenti i kampionëve të Francës

Kujtojmë që gjatë merkatos së verës ”telenovela Mbappe” pushtoi faqet e parë të mediave sportive, madje 23 vjecari  kishte gjetur edhe akordin me presidentin e Realit të Madridit Florentino Perezin, por në fund vendosi të nënshkruajë rinovimin me PSG ku aktualisht përfiton 76 milion euro në sezon pa llogaritur bonuset dhe është futbollisti më i paguar në planet.