Memushaj në shënjestrën e Krotones

Sport

memushaj
Ledian Memushaj është njëri prej atyre lojtarëve që u la jashtë nga lista e grumbullimeve të Panuçit, për ndeshjen miqësore të së hënës ndaj Norvegjisë. Gjatë kësaj periudhe, mesfushori 31-vjeçar po vazhdon stërvitjet me klubin e Beneventos në Serinë A. Por gjithashtu, vlonjati është duke hedhur vështrimin nga e ardhmja, pasi duket se nuk po e kapërdin dot faktin që nuk konsiderohet titullar nga trajneri De Zerbi. Të paktën që prej fillimit të këtij viti 2018, hapësirat për shqiptarin në fushën e lojës kanë qenë fare të pakëta. Aq sa konsideroi seriozisht largimin që në janar te skuadra e Barit në Serinë B. Por transferimi i tij në Pulja nuk u realizua, përderisa ishte trajneri De Zerbi që iu kundërvu largimit të mesfushorit, duke e deklaruar të pashitshëm.

ledian2

Por më pas, e deytroi të ngrohte kryesisht stolin, duke e bërë që të humbasë edhe Kombëtaren. Diçka e ardhur edhe si pasojë e një debati të ashpër, që mësohet se lojtari ka pasur me trajnerin. Në një situatë të tillë, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, tani Memushaj ka përfunduar në shënjestrën e Krotones. Natyrisht bëhet fjalë për një transferim, që mund të kryhet në fundin e sezonit, atëherë kur të rinisë merkato verore. Për Memushajn shihet si një tjetër mundësi për të qenë pjesë e elitës së futbollit italian, pasi Benevento është thuajse e rrëzuar nga Seria A. Kurse Krotone ka shanse të mëdha për të mbijetuar. Kështu, kalimi i mundshëm i vlonjatit në skuadrën e drejtuar nga Zenga do të krijonte një koloni shqiptarësh aty, pasi prej një viti në radhët e Krotones luan edhe Arlind Ajeti, mbrojtësi i Kombëtares kuqezi.