Merkato; Edhe Liverpool interesohet për Antony; braziliani ndiqet nga Man.United

Sport

Antony Matheus dos Santos ka bërë që rivaliteti në merkato mes Liverpool dhe Manchester United të ndizet edhe njëherë. Talenti brazilian që aktivizohet me Ajaksin është folur shpesh për një kalim tek ‘djajtë e kuq’, aty ku ish-trajneri i tij, Erik ten Hag, e sheh si një element të përshtatshëm. Mirëpo sipas asaj që raportojnë mediat angleze, në garë për shërbimet e 22-vjeçarit është futur edhe Liverpool-i. ‘The reds’ kërkojnë të bëjnë të tjera përforcime në fazën sulmuese dhe Antony duket si një alternativë e mirë për trajnerin Jurgen Klopp. Vetë lojtari nuk e ka fshehur entuziasmin që emri i tij të lidhet me dy klube kaq të rëndësishme, por realizimi i një transferimi të tillë për momentin duket si një mision i vështirë.

Në Angli zbulojnë se Ajaksi kërkon rreth 70 milionë euro për të lënë Antony të lirë, shifër që duket e tepruar për Liverpool dhe Man.United. ‘The reds’ nuk e kanë luksin të shpenzojnë me shifra të tilla, pasi një pjesë të mirë të buxhetit e mori transferimi i Darwin Nunez, që kushtoi plot 80 milionë euro. Edhe tek Manchester United, situata e financave nuk është më e mira e mundshme dhe trajneri Ten Hag kërkon të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira me Ajaksin për të ulur çmimin e kartonit të brazilianit. Antony është pjesë e klubit holandez që prej verës së 2020-ës, kur u transferua nga Sao Paulo për thuajse 16 milionë euro. Gjatë sezonit që lamë pas, ai ishte lojtari me më shumë driblime në radhët e Ajaksit, ndërkohë që dha kontributin e tij me 12 gola e 10 asiste, në 32 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet.