Milan, Tronditen kuqezinjtë, Ibrahimovic rezulton pozitiv me koronavirus, suedezi izolohet

Sport

Milani e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin në ‘Serie A’, duke marrë një fitore të pastër 2-0 ndaj Bolognas, në një takim ku vendosën dy golat e Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi veteran mbetet ende një pikë referimi për kuqezinjtë, të cilët për fat të keq do të duhet të bëjnë pa suedezin për të paktën 2 javë. Ibra ka rezultuar pozitiv me ‘Covid-19’, lajm ky që ka tronditur disi drejtuesit e Milanit dhe sidomos trajnerin Pioli. 39-vjeçari ka zbulua se është mbartës i virusit gjatë testeve të bëra përpara sfidës kundër Bodoe-Glimt, të vlefshme për kualifikueset e ‘Europa League’-ës. Më herët, ishte mbrojtësi Leo Duarte që kishte rezultuar pozitiv, ndërsa Ibra në testin e parë nuk shfaqej si mbartës i ‘Covid-19’. Suedezi është izoluar menjëherë në shtëpinë e tij dhe do të qëndrojë pa patur kontakte me të tjerët derisa ta kalojë plotësisht këtë situatë. Kështu, Milani humbet për ndeshjet e ardhshme një nga lojtarët kryesorë të formacionit dhe padyshim liderin e ekipit të trajnerit Pioli. Alternativa e këtij të fundit janë Ante Rebic, apo edhe talenti 18-vjeçar, Lorenzo Colombo. Vetë Ibra e ka marrë shumë lehtë të gjithë këtë situatë. Madje suedezi reagoi në profilet e tij në rrjetet sociale, ku konfirmonte se në testet e para kishte rezultuar negativ, por në ato pasardhëse, nuk ishte kështu. Gjithësesi, Ibra siguron se nuk ka asnjë simptomë deri më tani, ndërsa bëri shaka duke thënë se virusi gaboi që vendosi ta sfidonte.