Serie A, Inter kërkon një zëvendësues të Calhanoglu; mund të sakrifikohet Asllani

Sport

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga mbyllja e merkatos, skuadra e Inter-it nuk ka ndërmend të ndalet me zyrtarizimin e Benjamin Pavard. Klubi zikaltër është vënë në kërkim të një mesfushori, si kërkesë e trajnerit Simone Inzaghi për të gjetur një alternativë të turkut Hakan Calhanoglu. Sipas asaj që kanë zbuluar mediat italiane, drejtuesit e Inter-it kanë filluar kontaktet e para me Sassuolo-n, në lidhje me një transferim të mundshëm të Maxime Lopez. Nga ajo që kuptohet, tek Inter-i nuk kanë më ndërmend të shpenzojnë shumë para për transferime të tjera lojtarësh dhe për këtë arsye, afrimi i Maxime Lopez mund të realizohet nëpërmjet një shkëmbimi me Kristjan Asllanin. Talenti shqiptar mendohet të jetë alternativa e fundit e trajnerit Inzaghi për sezonin e ri, prandaj kartoni i tij do të përdoret për të joshur Sassuolo-n. Por në këtë pikë, Inter-i nuk kërkon një shkëmbim të plotë të kartonave të lojtarëve, por thjesht huazimet e tyre. Klubi milanez mendon ta afrojë Maxime Lopez si huazim më të drejtë blerje, ndërkohë që edhe Asllani do të shkojë drejt emilianëve po në formë huazimi. Tek Sassuolo do të preferonin të përfshihej edhe një mundësi blerje e kartonit të shqiptar, por tek Inter-i nuk janë të bindur. Zikaltërit shpenzuan 14 milionë euro për kartonin e shqiptarit një vit më parë dhe duke qenë se besojnë tek potenciali i tij, nuk mund ta lejojnë të largohet aq kollaj.

Veç Maxime Lopez, një alternativë tjetër për mesfushën e Inter-it është edhe Tanguy Ndombele. Ky i fundit është rikthyer tek Tottenham, pas një sezoni të huazuar tek Napoli. Inter-i kërkon ta afrojë në të njëjtën mënyrë dhe klubi londinez nuk e ka problem të lejojë largimin e Ndombele, duke qenë se për momentin nuk bën pjesë në planet e klubit.