Miqësoret, Holanda mund Portugalinë, Ronaldo resht së shënuari pas 9 ndeshjesh

Sport

portugali
Portugalia kampione e Evropës u mposht 3-0 nga Holanda në një miqësore ku Cristiano Ronaldo reshti së shënuari ndërsa Cancelo u ndëshkua me të kuq. Ishte një ndeshje tejet e rëndësishme për projektin e Ronald Koeman me kombëtaren holandeze dhe rezultati u pa që në pjesën e parë. Me një rreshtim 5-3-2 tulipanët shënuan tre herë brenda 45 minutave. Ish-ylli i Manchester United-it Depay u shoqërua nga Ryan Babel duke realizuar dy gola. Në fund të pjesës së parë erdhi edhe goli i “K.O”-së që mbajti firmën e Virgin van Dijk. Me shifrat 3-0 Fernando Santos u përpoq të ndryshojë gjërat me 3 zëvendësime njëherësh, por asgjë nuk funksionoi. Në minutën e 61-të, Joao Cancelo u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe i la të tijët me 10 lojtarë. Kështu Portugalia e pati edhe më të vështirë të konkretizojë aksionet e shumta të saja. Më pas Santos u detyrua të largojë edhe Ronaldon, i cili la shiritin kur u zëvendësua nga Joao Moutinho. Deri në këtë pikë portugezi kishte realizuar në 9 ndeshje radhazi duke llogaritur takimet me Realin dhe Portugalinë. 17 gola ishte totali i kësaj forme të jashtëzakonshme për 33-vjeçarin. Pak përpara zëvendësimit dy tifozë mësynë fushën për ta takuar dhe shkrepur foto me të. Portugalia është në grupin B të botërorit Rusi-2018-të, së bashku me Spanjën, Marokun dhe Iranin, ndërsa Holanda dështoi të kualifikohej pas një serie ndryshimesh në postin e trajnerëve.