MotoGP, Aleix Espargaro zbulon se çfarë e penalizoi në garën e Gjermanisë

Sport

Aleix Espargaro e nisi nga vendi i katërt garën e Gjermanisë dhe spanjolli e mbylli në të njëjtin pozicion, ndonëse fillimisht krijoi idenë se mund të luftonte për fitoren. Fabio Quartararo shfaqi një ritëm tjetër dhe ishte thuajse i pakapshëm nga pjesa tjetër e pilotëve, por tek Aprilia mbetën të zhgënjyer me faktin që Espargaro nuk arriti dot një tjetër podium. Piloti 32-vjeçar ka zbuluar se çfarë nuk shkoi për të mbi pistën e Sachsenring, duke prekur një problem të vjetër tek Aprilia, që janë gomat. Në ‘Çmimin e Madh’ të Gjermanisë, Aleix Espargaro tregoi se vuajti thuajse gjatë gjithë garës problemin e vibrimit të gomave.

Siç vetë spanjolli shpjegoi, kjo gjë ndihej më shumë tek goma e përparme dhe ndikoi jo pak në garimin e tij, pasi duhej të ishte i kujdesshëm me trajektoren që zgjidhte, sidomos në kthesat e forta. Ky problem tek Aprilia kishte kohë që nuk ndodhte. Espargaro e pranoi se që nga fundi i sezonit të shkuar, motori i tij nuk ka patur asnjëherë të tilla gjëra dhe gomat kanë qenë gjithnjë në gjendje perfekte. Espargaro tashmë e sheh veten 34 pikë larg Fabio Quartararo-s në renditjen e përgjithshme për pilotë, me kampionin e botës në fuqi që udhëheq me 172 pikë të grumbulluara. Pavarësisht asaj që ndodhi në pistën e Sachsenring, Espargaro mbetet optimist, duke thënë se ai dhe motori i tij kanë ende vend për përmirësim dhe është e rëndësishme që bashkë me skuadrën, të vijojnë punën për të bërë edhe më mirë, duke mësuar pikërisht nga gabime si këto në Gjermani.