Serie A, Juventus mendon për Fabian Ruiz, nëse Rabiot vendos të largohet

Sport

Fabian Ruiz konfirmoi pak ditë më parë se nuk kishte ndonjë dëshirë të madhe për të rinovuar kontratën e tij me Napolin, pavarësisht propozimeve të vazhdueshme nga ana e klubit italian. Mesfushori spanjoll synon të transferohet diku tjetër dhe kjo mund të ndodhë që në këtë merkato verore, nëse Napoli nuk kërkon ta humbasë me parametra zero në qershorin e vitit të ardhshëm. Juventusi duket se është futur seriozisht në garë për të marrë shërbimet e 26-vjeçarit, që cilësohet si ndër më të mirët në kampionatin italian në rolin e tij. Spanjolli pëlqehet shumë edhe nga trajneri Allegri, pasi sheh tek ai cilësitë e duhura për ta përdorur në pozicione të ndryshme tek skemat e Juventusit të tij. Transferimi i Fabian Ruiz do të vinte për një shifër të pranueshme për drejtuesit e klubit torinez, pasi tek Napoli e dinë që nuk mund të pretendojnë më si dikur për kartonin e mesfushorit, pasi i ka mbetur edhe 1 vit kontratë. Por për të firmosur me Fabian Ruiz, Juventusi fillimisht duhet të mendojë për largimet.

Në fakt, spanjolli shihet si zëvendësuesi perfekt i Adrien Rabiot, që ka dhënë sinjale largimi nga bardhezinjtë. Mesfushori francez nuk po e shijon më si dikur aventurën e tij tek Juventusi dhe drejtuesit e torinezëve janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat që do të vijnë në drejtim të tij. Veç interesimit të disa skuadrave angleze si Manchester United apo Chelsea, për Rabiot ka shfaqur interes së fundmi edhe PSG. Njësoj si në rastin e Fabian Ruiz, edhe Rabiot do të hyjë në vitin e fundit të kontratës së tij, prandaj Juventusi do të kënaqej edhe me një ofertë prej 20 milionë eurosh për kartonin e francezit. Rabiot nuk ka pranuar të ulë pretendimet e tij për rritjen e pagës, në bisedimet për rinovimin e kontratës, teksa Manchester United, Chelsea apo PSG, nuk e kanë problem të plotësojnë kërkesat e mesfushorit. Në rast kalimi tek PSG, për Rabiot do të ishte një rikthim në ‘Parc des Princes’, pasi 27-vjeçari është formuar pikërisht në akademinë e kampionëve të Francës