MotoGP, Morbidelli kalon tek ‘Pramac’; Rins do të pilotojë Yamaha-n nga viti i ardhshëm

Sport

Ndryshime të shumta në skuadrat e ‘MotoGP’ për sezonin e ardhshëm. Konfirmimi i largimit të Johann Zarco nga ‘Pramac’ drejt ‘LCR Honda’, bëri që të lirohej një vend tek skuadra që garon me motorin Ducati. Shumë emra u përfolën se do të ishin përkrah Jorge Martin, por lëvizja surprizë e drejtuesve të ‘Pramac’, ishte firma me italo-brazilianin, Franco Morbidelli. 28-vjeçari nuk do të jetë më pjesë e Yamaha-s zyrtare dhe nga sezoni i ardhshëm do të bashkohet me familjen Ducati, me ata të ‘Pramac’ që shpresojnë se mund të risjellin në skenë edhe njëherë tjetër më të mirën e kampionit të botës në ‘Moto2’ në vitin 2017. Morbidelli është pjesë e akademisë ‘VR46’ dhe thuhet se konsultat me Valentino Rossi-n apo edhe drejtuesë të tjerë, kanë shtyrë që ai të kalojë tek Ducati. Në fakt, tek skuadra ‘Pramac’, ai do të gjejë të gjitha kushtet për t’u rikthyer kompetitiv e për të luftuar sërish për podiumin.

Nga ana tjetër, Yamaha hoqi dorë nga Morbidelli pas vetëm 2 sezonesh, duke lajmëruar më herët edhe nënshkrimin me spanjollin Alex Rins. Pas largimit të Suzuki-t nga ‘MotoGP’, Rins firmosi me ‘LCR Honda’, por aventura e tij nuk ka shkuar siç vetë Rins shpresoi, pavarësisht një fitoreje historike në Austin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Problemet në marrëdhëniet me drejtuesit e Honda-s, kanë shtyrë që Rins të pranojë ofertën e Yamaha-s, ku do të garojë krah Fabio Quartararo-s. Vendin e lënë bosh nga Rins, tek skuadra ‘LCR’, do ta marrë pikërisht Zarco, teksa është konfirmuar edhe njëherë tjetër se Takaaki Nakagami do të mbetet tek Honda. Edhe pse japonezi nuk ka arritur të sigurojë rezultate shumë të mira gjatë dy sezoneve të fundit, 31-vjeçari ka siguruar rinovimin e kontratës së tij, të paktën edhe për një vit, me Honda-n që ka nisur kërkimin për një pilot të talentuar, si Ai Ogura nga ‘Moto2’, për ta kaluar në të ardhmen në elitën e garave me motora.