Napoli “blindon” një nga “motorët” e skuadrës

Sport

Napoli “blindon” një tjetër lojtar. Stanislav Lobotka ka arritur marrëveshjen me klubin për të rinovuar kontratën deri në vitin 2027-të, me mundësi edhe për një tjetër vit, deri në 2028-tën. Gjtihashtu, për mesfushorin do të ketë një përmirësim edhe të termave financiarë. Me paktin e ri, sllovaku do përfitojë deri në 3.5 mln euro në sezon.

28 vjeçari konsiderohet si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës së kaltër. Pesha e tij ka qenë mjaft e dallueshme edhe këtë sezon, ku Lobotka është kthyer në një nga motorët e makinerisë perfekte të Napolit, si në kampionat, po ashtu edhe në Champions League.

Me performancat e tij të mrekullueshme nga ndeshja në ndeshje, Lobotka kishte filluar të tërhiqte vëmendjen e disa prej klubeve më me peshë të kontinentit dhe kjo gjë kishte filluar të shqetësonte drejtuesit e klubit të Napolit, duke nisur që nga presidenti Aurelio De Laurentis.

Në të tilla rrethana, kryesuesit e Serie A nisën menjëherë nga puna për të “blinduar” lojtarin dhe gjithçka ka shkuar me sukses.

Sa i takon Napolit, përgjatë ndërprerjes së aktivitetit për shkak të Botërorit, klubi italian ka zhvilluar 4 ndeshje miqësore. Si fillim fitoi ndaj Antaluasporit dhe Crystal Palace, por është mposhtur në dy të fundit. Konkretisht ndaj Villarreal dhe Lille.

Ndeshja e parë zyrtare e Napolit me rikthimin e Serie A, do jetë ndaj Interit në “San Siro” në datën 4 Janar, e vlefshme për javën e 16-të të kampionatit.