Napoli “djeg” Interin në luftë për talentin shqiptar!

Sport

Jo vetëm Amir Rrahmanin, por tani edhe Marash Kumbullën. Napoli ka konfirmuar dashurinë për lojtarët shqiptarë, teksa ka dalë papritmas përpara Interit, duke gjetur marrëveshjen me Veronën edhe për mbrojtësin tjetër me prejardhje shqiptare, që po kontribuon në ecurinë e jashtëzakonshme të skuadrës veroneze në Serina A. Sipas asaj që ka raportuar Sky Sport italia, akordi mes klubeve është gjendur në bazën e 20 milionëve, plus 4 si bonus. Sidoqoftë, po ashtu siç u ra dakord për Rrahmanin, mbrojtësi i Shqipërisë i cili mbush 20 vjeç më 8 shkurt, do të transferohet në “San Paolo” vetëm në fundin e këtij kampionati.
Ndërkaq, gjatë ditëve të ardhshme është parashikuar një takim me agjentët e Kumbullës, për t’i paraqitur projektin teknik dhe kontratën për 19 vjecarin.
Mirëpo nga ana tjetër duket se Interi ka një marrëveshje paraprake me lojtarin, por pa arritur ta gjejë me klubin e Veronës. Në këtë situatë pritet të shihet nëse do të mund të binden agjentët e lojtarit, për të prishur fjalën e dhënë tek drejtuesit zikaltër. Nuk përjashtohet që në këtë pikë të ndizet një duel në distancë mes Napolit e Interit, qoftë edhe në këto ditë të fundit të merkatos së dimrit.