NBA, Banchero debuton si Lebron James; Suns mposhtin në limite Mavericks

Sport

Paolo Banchero ishte zgjedhja e parë në ‘Draft’-in e këtij viti në NBA dhe shihet si një nga ata që mund të jenë dominues në të ardhmen e këtij sporti. Italiani bëri një debutim të shkëlqyer në elitën e basketbollit, ndonëse Orlando Magic u mposht 113-109 nga Detroit Pistons. Banchero ishte shënuesi më i mirë i takimit, me 27 pikë, teksa dha një kontribut të rëndësishëm edhe me 9 ribaunde e 5 asiste. Kjo ështe hera e parë në NBA që nga viti 2003, që një debutues ia del mbanë të realizojë të paktën 25 pikë, 5 ribaunde e 5 asiste. I fundit që e pati kompletuar diçka të tillë në ndeshjen e tij debutuese, ka qenë LeBron James. Banchero kërkoi t’i shmangte krahasimet me një si LeBron, por tha se duhet të ndihmojë skuadrën të ecë në rrugën e fitoreve.
Dallas Mavericks dhe Phoenix Suns kanë dhuruar spektakël në përplajen mes tyre, me këta të fundit që ia dolën të triumfonin në fund të takimit 107-105. Damion Lee ishte njeriu i ndeshjes për Suns, pasi realizoi pikët vendimtare në fundin e periodës së katërt. Dallas pati edhe një shans të fundit për ta përmbysur ndeshjen, por gjuajtja për 3 pikë e Luka Doncic nuk ishte e saktë. Slloveni ishte më i miri në parket me 35 pikë, 9 ribaunde e 6 asiste, ndërsa tek Phoenix shkëlqeu Devin Booker me 28 pikë e 9 asiste.
Pati emocione edhe në përballjen mes Toronto Raptors dhe Cleveland Cavaliers, e fituar nga skuadra kanadeze me rezultatin e ngushtë 108-105. Donovan Mitchell bëri një debutim të shkëlqyer me fanellën e Cavaliers, duke shënuar 31 pikë, por që nuk mjaftuan për të ndalur formën e mirë të Pascal Siakam, Gary Trent Jr. dhe OG Anunoby, që udhëhoqën Raptors drejt triumfit.
Rikthim në parket me fitore për Zion Williamson, që udhëhoqi Neë Orleans Pelicans në triumfin 130-108 ndaj Brooklyn Nets. Surprizë mund të konsiderohet humbja e Denver Nuggets, 102-123 nga Utah Jazz, ndërkohë që Minnesota mposhti 115-108 Oklahoman. Chicago bëri një nisje të mirë të sezonit, duke triumfuar 116-108 ndaj Miami Heat, kurse Memphis Grizzlies patën nevojë për kohën shtesë, për të mposhtur 115-112 New York Knicks.