NBA, Boston Celtics përmbysin Warriors në ‘Chase Center’ dhe fitojnë ndeshjen e parë

Sport

Ka nisur me surpriza që në ndeshjen e parë seria e finales mes Golden State Warriors dhe Boston Celtics, që pa këta të fundit të triumfonin 120-108, në një takim që ishte dominuar nga ana e vendasve të Warriors. Në një ‘Chase Center’ të mbushur plot, Golden State mori menjëherë një avantazh të kënaqshëm, falë shpërthimit të Steph Curry, që brenda pjesës së parë realizoi 6 tre pikësha. Po në fundin e periodës së dytë, Celtics patën një ‘parcial’ të mirë, duke përmbysur me 2 pikë shifrat. Me rinisjen e lojës pas pushimit, Warriors u mbështetën sërish tek Curry për të marrë një avantazh prej më shumë se 12 pikësh. Ishte e qartë se Golden State po shkonte drejt fitores, pasi kishte diçka më shumë se kundërshtarët.

Por atëherë kur më pak pritej, Celtics bënë një performancë të jashtëzakonshme në periodën e katërt, duke shpalosur më të mirën e tyre si në sulm, edhe në mbrojtje. Rezultati i pjesshëm i 12 minutave të fundit do të ishte 40-16 dhe Boston fiton në këtë mënyrë ndeshjen e parë të ‘Finaleve të Mëdha’ në këtë sezon të NBA. Al Horford ishte njeriu i ndeshjes për Celtics, me 26 pikë, teksa realizoi edhe 6 gjuajtje nga përtej harkut. Jaylen Brown u ndal në 24 pikë, 7 ribaunde e 5 asiste, ndërsa Tatum shënoi vetëm 12 pikë, por ishte i rëndësishëm me 13 asiste.

Nga ana tjetër, Steph Curry shënoi plot 34 pikë, duke qenë shënuesi më i mirë i sfidës, por veç tij, asnjë lojtar tjetër i Warriors nuk e kaloi kuotën e 20 pikëve, diçka që tek Celtics e bënë 3 lojtarë. Edhe ndeshja e dytë do të luhet sërish në ‘Chase Center’, në San Francisco, aty ku për të besuarit e trajnerit Steve Kerr nuk ka më vend për gabime.