NBA, Brooklyn Nets, Kevin Durant do të qëndrojë jashtë parketit për 1 muaj

Sport

Kevin Durant nuk do të mundet të japë kontributin e tij për Brooklyn Nets deri në fund të janarit. Analizat e detajuara në gjurin e ‘KD’ kanë zbuluar se pavarësisht se nuk ka një dëmtim të rëndë, ylli i Nets duhet të pushojë për të paktën 1 muaj, derisa të rikthehet në parket. Durant pësoi një dëmtim në sfidën e fituar nga skuadra e Brooklyn 102-101 ndaj Miami Heat. Pas një përplasje me Kyle Lowry, Durant do të ndjente dhimbje në gjurin e tij të majtë, por gjithësesi do të vazhdonte lojën. Vetëm pak çaste më vonë, Jimmy Butler do të peshonte trupin e tij në rrëzim e sipër tek ‘KD’, që do të braktiste sfidën i dëmtuar. Gjuri i majtë i Durant vijon të mbetet pika më problematike e tij sa i përket dëmtimveve. Thuajse ekzaktësisht një vit më parë, më 15 janar të 2022-shit, 34-vjeçari pësoi një lëndim të ngjashëm në një ndeshje ndaj New Orleans Pelicans. Gjithësesi, tek Nets janë të lumtur që nuk kanë të bëjnë më një dëmtim serioz të yllit të tyre, edhe pse Durant po përjetonte një moment mjaft të mirë, aq sa e kishte vendosur emrin e tij mes kandidatëve për t’u shpallur ‘MVP’ i sezonit të rregullt. Deri përpara dëmtimit në ndeshjen ndaj Miami Heat, ‘KD’ regjistronte një mesatare prej 30 pikësh, 7 ribaundesh e 5 asistesh për ndeshje, duke bërë liderin për Brooklyn Nets, që është vetëm një fitore larg vendit të parë në ‘Konferencën e Lindjes’.