NBA, Denver kthen Lakers ‘me këmbë në tokë’; fitojnë Pelicans, Celtics dhe Bucks

Sport

Denver Nuggets dhe Memphis Grizzlies vijojnë betejën në distancë për kreun e ‘Konferencës së Perëndimit’. Skuadra nga Colorado mposhti 122-109 Los Angeles Lakers, duke i kthyer sërish ‘me këmbë në tokë’ këta të fundit, pas një serie prej 5 fitoresh radhazi. Denver mori kontrollin e ndeshjes që në periodën e parë, kur siguruan një avantazh prej 6 pikësh. Lakers nga aty nuk mundën të reagonin, me Jamal Murray që ishte shënuesi më i mirë i sfidës me 34 pikë. Në mungesë të LeBron James, tek Lakers ishte Westbrook që provoi të bënte liderin, por u ndal në 25 pikë të shënuara. Tjetër ‘triple-double’ për një nga kandidatët për ‘MVP’ të këtij sezoni, Nikola Jokic, i cili realizoi 14 pikë, 11 ribaunde e 16 asiste. Denver shkon kështu në kuotën e 27 fitoreve, po aq sa edhe Memphis Grizzlies, të cilët bënë detyrën ndaj San Antonio Spurs, duke triumfuar 121-113. Skuadra e trajnerit Taylor Jenkins luante sërish pa yllin e ekipit, Ja Morant, me Tyus Jones dhe Jaren Jackson që shënuan respektivisht 24 e 16 pikë.

Fitore historike për New Orleans Pelicans, që për herë të parë nga viti 2011, ia dolën të triumfonin në kryeqytet ndaj Washington Wizards. 132-112 ishte rezultati final i takimit, që mori drejtimin e duhur për Pelicans vetëm në periodën e dytë. Pas një disavantazhi prej 2 pikësh në 12 minutat e para, CJ McCollum frymëzoi përmbysjen, teksa në aspektin personal regjistroi 34 pikë të shënuara. Ndeshje të mirë bëri Jonas Valanciunas me 27 pikë e 12 ribaunde, ndërkohë që për Wizards, më i dalluari ishte Kristaps Porzingis me 23 pikë e 10 ribaunde.

Boston Celtics triumfuan mes vështirësive ndaj Chicago Bulls, 107-99, të udhëhequr nga Jayson Tatum. Lideri i skuadrës nga Masachusets shënoi 32 pikë, por ishte i rëndësishëm edhe me 8 ribaunde e 7 asiste. 27 pikë për Zach LaVine tek Bulls, kurse Nikola Vucevic regjistroi një ‘double-double’ me 21 pikë e 13 ribaunde. Më shumë se sa humbja, lajmi i keq për Chicago-n është padyshim dëmtimi i DeMar DeRozan, i cili u detyrua të braktiste parketin në periodën e tretë.

Përplasje e rëndësishme ishte edhe ajo mes New York Knicks e Milwaukee Bucks, që pa fituesë këta të fundit me rezultatin 111-107. Giannis Antetokounmpo bëri liderin për të tijët me 22 pikë e 10 ribaunde. Tek Knicks shkëlqyen Quickley me 23 pikë, Randle me 25 pikë e 16 ribaunde dhe Jalen Brunson, me një rekord karriere prej 44 pikësh, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale. Fitore edhe për Sacramento Kings, që mposhtën 136-111 Orlando Magic, duke shënuar edhe një rekord në klubin e tyre, me 23 3-pikësha të realizuar brenda një ndeshjeje të vetme.