De Bruyne: Haaland mund të shënojë sa CR7 dhe Messi

Sport

Rekordet e Cristiano Ronaldos dhe të Lionel Messit në më tepër se një dekadë, kanë thurur opinione të ndryshme, se shifrat e tyre do të jenë të pakonkurueshme nga futbollistët e të ardhmes. Megjithatë, në vitet e fundit janë shfaqur golashënues të tjerë, sikurse është Kylian Mbappe, apo Erling Haaland, të cilët të dhënat fillestare i kanë të përkryera.

Haaland, i transferuar në radhët e Manchester Cityt në verën e këtij viti, i ka bërë një nisje spektakolare sezonit, duke shënuar 24 gola në 19 ndeshje.

Shoku i tij i skuadrës, Kevin De Bruyne, është i mendimit se Haaland zotëron potencialin e duhur për të arritur në nivelet e Cristiano Ronaldos, apo të Lionel Messit dhe për t’u klasifikuar si një ndër lojtarët më të mirë të historisë së futbollit.

“Haaland numëron aktualisht rreth 200 gola. Ai është vetëm 22 vjeç dhe në këtë mënyrë mund të arrijë në kuotën e 600, 700, ose 800 finalizimeve, nëse ruan formë të mirë fizike dhe të ketë gjithmonë ambicien për të dhënë maksimumin. Ai është një sulmues i një niveli shumë të lartë”, është shprehur fantazisti i Manchester Cityt.