NBA, Clippers fitojnë serinë ndaj Dallas, triumf i rëndësishëm i Denver kundër Utah Jazz

Sport

Dallas Mavericks nuk ia kanë dalë mbanë të bëjnë surprizën në serinë ndaj Los Angeles Clippers, me këta të fundit që siguruan kalimin më tej vetëm në ndeshjen e gjashtë, falë një fitoreje 111-97. Ekipi i drejtuar nga legjenda Doc Rivers përmbysi rezultatit e periodës së parë, që shkoi në favor të Dallas, për të siguruar kështu kalimin për në fazën gjysmëfinale të ‘play-off’-it në ‘Konferencën e Perëndimit’. Për kalifornianët, lojtari më i mirë në parket ishte padyshim Kawhi Leoanrd, i cili bëri liderin me 33 pikë, 7 asiste dhe 14 rikuperime të topit nën tabelë. Paraqitje të mirë bënë edhe Paul George dhe Ivica Zubac, të cilët realizuan secili nga 15 pikë. Tjetër performancë e jashtëzakonshme nga ana e talentit të Dallas, Luka Doncic, i cili ishte sërish pranë realizimit të një ‘triple-double’-i me 38 pikë, 9 asiste dhe 9 rikuperime të topit nën tabelë. Megjithatë, slloveni nuk ia doli të ndryshonte fatin e takimit, me Dallas që vuajti shumë mungesën e të dëmtuarit Kristaps Porzingis.

Kështu, skuadra e Doc Rivers do të përballet me njërën mes Utah Jazz dhe Denver Nuggets, të cilët e kanë dërguar serinë e tyre në takimin e shtatë. Denver triumfoi 119-107në përballjen e gjashtë mes tyre, duke e çuar serinë në barazim. Utah e nisi mjaft mirë takimin, duke marrë avantazhin pas periodës së parë, megjithatë, Jazz nuk rezistuan më shumë se aq dhe iu dorëzuan performancës së shkëlqyer të dyshes së Denver, Jamal Murray dhe Nikola Jokic. Murray tregoi edhe njëherë se po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij, duke qenë protagonist absolut në këtë fazë për ekipin e Nuggets. Kanadezi realizoi sërish 50 pikë, 27 prej të cilave erdhën nga goditjet për 3. Ndërsa Jokic, veç 22 pikëve të shënuara, ishte protagonist edhe me 9 asiste dhe 4 rikuperime të topit nën tabelë. Sa i përket Utah Jazz, Donovan Mitchell e mbylli me plot 44 pikë, 5 asiste dhe 6 rikuperime të topit nën tbaelë. Por paraqitja e jashtëzakonshme e yllit kryesor të Jazz nuk mjaftoi për shmangur humbjen, duke bërë që lojtarët të shfaqnin edhe tension në fund të takimit.