NBA, Denver shkatërron Minnesota-n; Memphis rigjen fitoren

Sport

Në një mbrëmje historike për NBA, ku të gjithë ishin përqëndruar tek rekordi absolut i LeBron James sa i përket shënimit të pikëve, disa prej pretendentëve kryesorë të këtij sezoni kanë zhvilluar ndeshje shumë të rëndësishme. Denver Nuggets vazhdojnë të dominojnë në ‘Konferencën e Perëndimit’, teksa shkatërruan 146-112 Minnesota Timberwolves. Në një ndeshje ku mungonte Jamal Murray, Denver u mbështet plotësisht tek Nikola Jokic, që regjistroi ‘triple-double’-in e katërt radhazi, me 20 pikë, 12 ribaunde e 16 asiste. Nuggets morën një avantazh të pabesueshëm prej 30 pikësh që në periodën e parë, duke e mbyllur diskutimin e fitores brenda 12 minutave. Michael Porter Jr. ishte shënuesi më i mirë me 30 pikë, ndërsa ndeshje të mirë bëri edhe Aaron Gordon, me 24 pikë e 8 asiste.

Pas një serie prej 3 humbjesh radhazi, kanë rigjetur fitoren ata të Memphis Grizzlies, që mposhtën 104-89 Chicago Bulls. Ja Morant udhëhoqi ekipin e trajnerit Taylor Jenkins, me 34 pikë, 6 ribaunde e 7 asiste, ndërsa ata të Chicago-s luanin pa liderin e tyre, DeMar DeRozan. Nikola Vucevic ishte i vetmi që u përpoq të bënte diçka për Bulls-at, me 28 pikë e 17 ribaunde, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.

Është rikthyer në parket në mënyrën më të mirë Devin Booker. Ylli i Phoenix Suns shënoi 19 pikë në fitoren e vështirë 116-112 në transfertën ndaj Brooklyn Nets. Mikkal Bridges shënoi 21 pikë për skuadrën nga Arizona, por ai që bëri liderin ishte Deandre Ayton, me 35 pikë e 15 ribaunde. Tek Brooklyn ndërkohë vazhdon shkëlqimi i Cam Thomas. 21-vjeçari u bë lojtari më i ri në historinë e NBA që regjistron 3 takime radhazi me mbi 40 pikë, pasi në përballjen ndaj Suns, shënoi plot 43.

Pavarësisht mbrëmjes së madhe të LeBron, Lakers u mposhtën në shtëpi nga Oklahoma City Thunder me rezultatin 133-130, kurse New Orleans Pelicans respektuan pritshmëritë, duke mposhtur 116-107 Atlanta Hawks.