NBA, Dwayne Wade do të luajë për Miamin, ose do të tërhiqet

Sport

wade
Dwyane Wade është një nga emrat më të mëdhenj të basketbollit amerikan në dekadën e fundit, i cili arriti kulmin më triumfet e titullit kampion tek Miami Heat, së bashku me LeBron James dhe Chris Bosh. Wade ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, por një gjë është e sigurt, se nëse ai do të vazhdojë të luajë në NBA, atëherë do të bëjë këtë vetëm me fanellën e Miamit. Në një intervistë të dhënë së fundmi, veterani shfaq hapur besnikërinë ndaj skuadrës së “Konferencës së Lindjes”.  “Për mua, ekziston vetëm Miami. Nëse do të vazhdoj të luaj, kjo gjë do të ndodhë vetëm me fanellën e Miamit ose ndryshe do të tërhiqem”, u shpreh basketbollisti, duke larguar në këtë mënyrë edhe skuadrat e tjera që kishin shfaqur interes për të.

dwayne
Megjithatë, Wade nuk nxitohet për të marrë një vendim për të ardhmen dhe 3 herë kampioni i NBA-së shprehet se nuk ka vendosur një afat. Ai shprehet se agjentët e tij dhe skuadra do të kenë disa takime për të arritur në një vendim final, e deri atëherë, detyra e Wade është të përmbushë objektivat në parket. Në mediat amerikane, thuhet se drejtuesit e Miamit presin një përgjigje nga 36-vjeçari, pasi i kanë ofruar atij një kontratë 1-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 5.3 milionë dollarë. Wade konfirmon se pavarësisht se ka marrë mjaft kërkesa nga vende të tjera e veçanërisht nga Kina, nuk ka ndërmend të shkojë të luajë aty edhe pse mund të paguhet më shumë.