NBA, Fitore me peshë për Lakers e Warriors; Embiid mposht Celtics

Sport

 

Edhe pse luanin pa 3 nga lojtarët kryesorë të skuadrës, Utah Jazz kanë dhuruar një ndeshje mjaft të mirë ndaj LA Lakers, me këta të fundit që triumfuan 135-133 vetëm pas kohës shtesë. Pa emra si Lauri Markkanen, Jordan Clarkson apo Kessler, Horton-Tucker dhe Kelly Olynyk udhëhoqën ekipin e Utah, me nga 23 pikë secili. Mirëpo ata nuk i rezistuan furisë së LeBron James, i cili edhe pse humbi shansin më të mirë në fundin e sezonit të rregullt, dha maksimumin në shtesë, duke e mbyllur me 37 pikë të shënuara. Një fitore e rëndësishme kjo për kalifornianët, që tani do të diskutojnë vendin e gjashtë të renditjes në një përballje direkte me skuadrën tjetër të qytetit, Clippers.
Triumf me peshë kanë marrë edhe tek Golden State Warriors, që mposhtën me përmbysje 136-125 Oklahoma City Thunder. Kampionët në fuqi bënë diferencën vetëm në periodën e katërt, me Steph Curry që sërish bëri liderin me 34 pikë. Ndeshje të mirë edhe nga Jordan Poole, me 30 pikë, teksa 32 pikët e Gilgeous-Alexander nuk mjaftuan për Oklahoman, që tani rrezikon zonën ‘play-in’.
Në ‘Konferencën e Lindjes’, përballje e rëndësishme ishte ajo mes Boston Celtics e Philadelphia 76ers, me këta të fundit që gjetën një Embiid në formë të jashtëzakonshme. Sixers triumfuan me rezultatin e ngushtë 103-101, teksa kamerunasi shënoi plot 52 pikë, ndërkohë që dha një kontribut të madh edhe me 13 ribaunde e 6 asiste. 20 pikë e 10 asiste nga James Harden, kurse tek Celtics, më i miri ishte Derrick White me 26 pikë. Në fundin e lojës, Tatum mori përsipër gjuajtjen e fundit dhe i bllokuar nga dy lojtarë gaboi, ndonëse kishte mundësinë të shërbente tek White, i cili priste i lirë.
‘Triple-double’ për Giannis Antetokounmpo me 28 pikë, 11 ribaunde e 10 asiste, në fitoren 140-128 të Milwaukee Bucks ndaj Washington Wizards. Atlanta i dha një goditje Chicago Bulls, duke i mundur 123-105, ndërkohë që Denver u ndal nga Houston Rockets, 124-103. Sacramento Kings mposhtën 121-103 New Orleans Pelicans, ndërsa nuk zhgënjejnë ata të Memphis Grizzlies, që me rezultatin 119-109 kaluan Portland Trail Blazers.