NBA, Jokic e Murray bëjnë historinë; Denver Nuggets fitojnë në Miami

Sport

Denver Nuggets kanë marrë revanshin ndaj Miami Heat, duke fituar ndeshjen e tretë të serisë së finaleve, të luajtur pikërisht në parketin e skuadrës nga Florida, me rezulatin 109-94. Loja ishte mjaft e balancuar dhe pas një periode të parë të mbyllur në barazpeshë, Nuggets morën një avantazh me 5 pikë. Miami u përpoq të reagonte me nisjen e periodës së tretë, por tek Denver vazhduan të ishin më mirë me përqindjet e realizimit, duke thelluar avantazhin deri në 14 pikë. Kështu, Denver ia del të rimarrë avantazhin e finaleve, pas disfatës që pësuan në takimin e dytë të luajtur në shtëpinë e tyre në ‘Ball Arena’.

Nikola Jokic dhe Jamal Murray zhvilluan një ndeshje historike, duke shkruajtur emrin e tyre në librin e finaleve të NBA. Dy yjet kryesorë të Nuggets regjistruan ‘triple-double’ me më shumë se 30 pikë të shënuara secili, çfarë ndodh për herë të parë në historinë e finaleve të NBA, nga dy lojtarë të të njëjtës skuadër, në të njëjtë ndeshje. Jamal Murray shënoi 34 pikë, duke qenë më i miri në këtë aspekt në parket, por dha një kontribut të rëndësishëm edhe me 10 ribaunde e 10 asiste. Ndërsa Jokic u ndal në 32 pikë, 21 ribaunde e 10 asiste, duke u bërë kështu edhe i vetmi lojtar në historinë e finaleve që arrin statistika të tilla. Ndeshje impresionuese bëri edhe i riu Christian Braun, i cili edhe pse e nisi nga stoli, shënoi 15 pikë, kurse Aaron Gordon kompletoi një ‘double-double’ me 11 pikë e 10 ribaunde.

Tek Miami, më të dalluarit ishin sërish Jimmy Butler dhe Bam Adebayo. I pari shënoi 28 pikë, kurse Adebayo e mbylli me 22 pikë e 17 ribaunde, që gjithësesi, nuk e shmangën këtë humbje në parketin e tyre, çfarë tashmë shton presionin mbi ekipin e trajnerit e Erik Spoelstra-s.