Serie A, Milan, Scaroni flet për largimin e Maldini-t dhe merkaton

Sport

Revolucioni i bërë tek Milani nga ana numrit 1 të fondit ‘RedBird’, Gerry Cardinale, kanë qenë të shumtë ata që reaguan për largimin e Paolo Maldini-t dhe Ricky Massara-s. I radhës që ka folur rreth këtyre ndryshimeve të papritura tek klubi kuqezi, ishte presidenti Paolo Scaroni, i cili ka sqaruar njëherë e mirë reformën e ndërmarrë nga ana e pronarëve të ‘RedBird’. Ai është shprehur se askush në klub nuk është i lumtur me largimin e Maldini-t, por drejtuesit e mëdhenj kanë vendosur të ndjekin një linjë ndryshe të menaxhimit të skuadrës, ku Paolo nuk do të kishte autonomi në veprimet e tij. Për këtë arsye, ishte më mirë që palët të mbyllnin këtu bashkëpunimin mes tyre. Sipas Scaroni-t, metodologjia e punës që ‘RedBird’ kërkon të ndjekë tek Milani, është unike në Itali dhe se përtej kufinjve, ka garantuar suksese të rëndësishme. Presidenti i klubit mohoi që pronarët të kenë në fokus vetëm përfitimet financiare që do të sjellë kjo metodologji, duke u shprehur se aspekti sportiv mbetet kryefjala në çdo lëvizje që bën klubi. Trajneri Pioli tashmë do të ketë më shumë pushtet sa i përket merkatos, ku do të jetë në kontakte të vazhdueshme me zbuluesin e talenteve, Geoffrey Moncada apo edhe me administratorin Giorgio Furlani. Këtë e sqaroi sërish edhe Scaroni, i cili ndryshe nga ajo që thonë tifozët, mendon se në futbollin modern, e sidomos në pozitat aktuale të Milanit, nuk është e domosdoshme prezenca e një figure historike për menaxhimin e merkatos. Sipas tij, tashmë skuadra është e konfirmuar në arenën europiane dhe lojtarët do të jenë të gatshëm të firmosin me 7 herë kampionët e Europës. Mirëpo kjo deklaratë e Scaroni-t ka nxitur edhe më shumë reagime të tifozëve kundër vendimeve të marra nga ana e ‘RedBird’, që gjithësesi, kërkojnë kohën e duhur për të treguar linjën që do të ndiqet tani e në vazhdim. Padyshim që merkatoja e verës, do të dëshmojë jo pak rreth objektivave realë të Cardinale-s dhe të grupit që e ndjek.